Grupi i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një projektligj me disa ndryshime të propozuara për Kodin Rrugor.
Nga propozimet e PD, parashtrohet që gjobat maksimale të ulen me 50%, të hiqen patrullat e policisë abuzivë në rrugë, parkingjet të jenë pa para për 50%në favor të rezidenteve, të hiqen barrierat financiare dhe administrative për transaksionet dhe heqja pezullimit të lejes së drejtimit dhe kthim në dyfishim te gjobës ose me sistem pokesh.
Projekligji i dorëzuar në Kuvend:
Relacion për projektligjin, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998 “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ngjyshuar.
I.Qëllimi i projektaktit dhe objektivat që synohen të arrihen.
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë është miratuar me ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998. Nga ajo kohë deri më sot, kanë ndodhur ndryshime të shumta në infrastrukturën dhe transportin rrugor të vendit tonë, të cilat kanë imponuar nevojën për ndryshime ligjore të Kodit. Kështu, nga viti 1998 e në vazhdim, rezulton se Kodi Rrugor është amenduar me 7 akte ligjore dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nevoja për rishikimin dhe përmirësimin e këtij akti në disa drejtime vazhdon të mbetet aktuale. Në një moment të dytë, Kuvendi i Shqipërisë mund të vlerësojë edhe mundësinë për një rishikim tërësor të Kodit, duke iu ofruar përdoruesve të rrugëve një legjislacion modern, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.
Propozimet që përmban ky projektligj synojnë pikërisht një harmonizim të terminologjisë ligjore për shkak se shumë prej emërtimeve apo termave të përdorura, tashëm nuk janë më relevante. Kjo passjell vështirësi apo keqinterpretime gjatë zbatimit të Kodit. Nga ana tjetër, propozimet adresojnë edhe disa problematika të krijuara për shkak të shtimit të numrit të automjeteve, trafikut të rënduar, mungesës së vendparkimeve apo lehtësimit të procedurave administrative. Këto propozime synojnë që të lehtësojnë përdoruesit e rrugës nga detyrimet e panevojshme, duke u kujdesur që në cdo rast të garantohet parimi i sigurisë më lartë të lëvizjes në rrugë. Po ashtu, propozuesit vlerësojnë se për zgjidhjen e problematikave të caktuara, zgjidhja më e përshtatshme nuk është rëndimi i qytetarëve apo bizneseve me sanksione administrative, por sensibilizimi, edukimi dhe bashkëpunimi me përdoruesit e rrugës.
II.Argumentimi u projekaktit lidhur me përparësitë, problematikat, efektet e pritshme.
Një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pasi një vlerësimi të kujdesshëm të parashikimeve aktuale të Kodit Rrugor, problematikave të adresuara nga qytetarë apo biznese të ndryshme, si dhe konsultimit me ekspertë të fushës, kanë përgatitur disa propozime për shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor. Këto ndryshime synojnë që të sjellin një harmonizim të terminologjisë ligjore që garanton një zbatim më të mirë të legjislacionit, garantimin e hapësirave të nevojshme për vendparkime, lehtësimin e procedurave administrative dhe reduktimin e masave administrative që sjellin penalizimin e qytetarëve apo bizneseve që përdorin rrugët tona. Kjo e fundit, është bërë pasi për shumë qytetarë dhe biznese përdorimi i automjetit përbën një nevojë thelbësore për realizimin e nevojave të përditshme personale, familjare apo profesionale.
Konkretisht, ndryshimet e propozuara sjellin një azhornim të emërtimeve të organeve publike apo njësive administrative, të cilat janë reflektim i reformave të ndërmarra ndër vite nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Po ashtu, ndryshimet e propozuara synojnë që të garantojnë për banorët rezidentë numrin e nevojshëm të vendparkimeve falas, duke vendosur detyrimin e organeve të pushtetit lokal për ruajtjen e një balance të barabartë në përcaktimin e vendparkimeve publike pa pagesë përkundrejt atyre me pagesë.
Projektligji përmban disa lehtërisa administrative, që kanë të bëjnë me shfuqizimin e detyrimit të përdoruesve të mjeteve që tërhiqen nga kafshë për t’u pajisur me targë; heqjen e detyrimit për të nënshkruar një kontratë shitblerjeje noteriale, në rastet e kalimit të pronësisë së mjetit kur kjo mund të realizohet pranë Drejtorisë përkatëse të Shërbimit të Transportit Rrugor; kryerjen e verifikimeve dhe kontrolleve teknike nga subjekte të licencuara nga ministria përgjegjëse për transportin publik; si dhe për personat deri në moshën 55 vjec, leja e drejtimit të lëshohet pa afat. Lidhur me lejet e drejtimit, projektligji parashikon gjithashtu që shtetasve shqiptarë që marrin një lejëdrejtimi të huaj, të mos iu hiqet leja e drejtimit shqiptare, pasi është e një e drejtë e fituar sipas ligjit, që ata mund të vazhdojnë ta mbajnë pavarësisht se jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Në drejtim të lehtësimit të masave administrative, projektligji parashikon që shpejtësia maksimale në autostrada të ndryshojë nga 110 km/orë në 120 km/orë në përputhje me standardet ndërkombëtare, ku në rrugët që ofrojnë standarde më të larta sigurie lejohet një shpejtësi më e lartë; shtetasit që kanë një lejedrejtimi shqiptare, të gëzojnë të njëjtën të drejtë si ata me lejedrejtimi të huaj, që në rast se vlerësohet se duhet pezulluar leja e drejtimit, t’u ofrohet alternativisht mundësia e pagesës së një gjobe sa dyfishi i masës administrative që parashikon dispozita e shkelur. Në projektligj është parashikuar edhe ulja e kufirit maksimal të gjobave nga dyqind mijë lekë në njëqind mijë lekë. Ky ndryshim është menduar edhe për shkak të nivelit të pagës mesatare në vendin tonë, ku aktualisht kufiri maksimal i gjobave është pothuajse sa katërfishi i pagës minimale. Për shlyerjen e gjobave, propozohet që qytetarëve t’u ofrohet një afat 10-ditor, pasi shpeshherë për shkak të mos-hedhjes së gjobave në sistem në një afat kohor të shkurtër, qytetarët janë penalizuar padrejtësisht.
Një nga risitë që ofron ky projektligj ka të bëjë edhe me kufizimin e ngritjes së postblloqeve. Këto të fundit janë në fakt një praktikë e paprecedentë e Policisë shqiptare, ku në ditë krejtësisht normale dhe në segmente rrugore të shkurtra mund të shihen disa postblloqe policie, të cilat ndalojnë pa ndonjë arsye qytetarët, të ashtuquajturat kontrolle rutinore. Në vendet e BE-së, prania e postblloqeve në rrugë është një rast përjashtimor dhe lidhet vetëm me raste të vecanta kur siguria dhe rendi publik janë vendosur në rrezik. Prandaj, propozohet që postblloqet e Policisë të ngrihen vetëm në raste të caktuara që lidhem me rendin dhe sigurinë publike, me urdhër të arsyetuar të drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, duke parashikuar edhe mundësinë që qytetari i ndaluar të ketë të drejtë të kërkojë të njihet me urdhërin, me përjashtim të rasteve kur kjo mund të cënojë kapjen e autorëve të një vepre penale.
III. Vlerësimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe harmonizimi me legjislacionin në fuqi vendas e ndërkombëtar.
Projektligji është propozim i një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me nenin 81, pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe nenin 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.
Përmbledhje shpjeguese e përmbajtjes së projektaktit
Projektligji përbëhet nga 16 dispozita.
Neni 1 përmban një riformulim të nenit 2, pika 6, gërma “B”, duke zëvëndësuar njësitë e qeverisjes vendore, sipas parashikimeve të nenit 108 të Kushtetutës dhe ligjit nr. 115/2014 “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Neni 2 përmban disa ndryshime të nenit 6 të ligjit aktual, me të njëjtën natyrë, ashtu si edhe ndryshimet e propozuara në nenin 1.
Neni 3 përmban disa shtesa dhe ndryshime të nenit 7 të ligjit aktual, të cilat kanë për qëllim të garantojnë që numri i zonave të destinuara për parkim me pagesë të jetë i barabartë me numrin e zonave të destinuara për parkim pa pagesë. Vecanërisht, neni 3 përmban detyrimin e bashkive për marrjen e masave për garantimin e zonave të parkimit pa pagesë për të gjithë banorët rezidentë pranë banesës së tyre.
Neni 4 përmban një shtesë në nenin 12 të ligjit akatual, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e postblloqeve. Konkretisht, ky nen parashikon që ngritja e postblloqeve mund të bëhet vetëm në rast se ekziston një rrezik për rendin dhe sigurinë publike, me urdhër të drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit. Urdhëri duhet të bëhet me shkrim dhe duhet të jetë i arsyetuar. Madje, qytetarët që ndalohen në një postbllok kanë të drejtë të kërkojnë të njihen me urdhërin, me përjashtim të rasteve kur kjo mund të cënojë kapjen e autorëve të veprave penale.
Neni 5 përmban një azhornim të terminologjisë në nenin 27 të ligjit aktual, sa i përket organit publik përgjegjës për rrugët, Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Neni 6 parashikon shfuqizimin e nenit 67 që ka të bëjë me pajisjen me targë të mjeteve që tërhiqen nga kafshët. Kjo dispozitë vlerësohet e panevojshme, aq më tepër në kushtet kur qytetarët që përdoren mjete të tilla jetojnë kryesisht në zona të thella rurale dhe me vështirësi të shumta financiare. Në këtë kuptim, lehtësimi i tyre nga ky detyrim, lehtëson edhe mënyrën e jetesës së tyre.
Neni 7 përmban një riformulim të nenit 93, pika 1 të ligjit aktual, sa i përket detyrimit që kanë personat që kalojnë pronësinë e mjeteve rrugore, apo rasteve kur i japin në përdorim apo me qira me të drejtë shitjeje. Me qëllim lehtësimi nga procedurat administrative dhe kostot e shërbimit, ky nen parashikon që palët nuk kanë nevojë që të paraqiten përpara një noteri për nënshkrimin e një akti, por mund ta bëjnë regjistrimin duke u paraqitur vetë personalisht apo nëpërmjet një personi të autorizuar pranë zyrës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Neni 8 përmban një riformulim të nenit 106, pika 2 të ligjit aktual, sa i përket detyrimit që kanë makinat bujqësore për kryerjen e kontrollit teknik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Publik. Duke marrë parayssh natyrën e këtyre makinerive dhe kufizimet që ekzistojnë për lëvizjen e tyre, dispozita parashikon që ky kontroll mund të kryhet pranë subjekteve të licencuara, që mund të jenë private, por me licencën nga DPSHTR.
Neni 9 përmban një riformulim të nenit 124, pika 1 të ligjit aktual, duke përcaktuar dhënien e lejeve pa afat për personat deri në moshën 55 vjec, ndërsa për personat mbi 55 vjec parashikohet afati 5-vjecar.
Neni 10 përmban një shtesë në nenin 127, pas pikës 3.1, që ka të bëjë me njohjen e të drejtës se shtetasve me lejedrejtimi shqiptare, që në vend të masës së pezullimit të lejes së drejtimit, të zgjedhin të paguajnë një gjobë të barabartë me dyfishin e masës administrative që përmban dispozita e shkelur.
Neni 11 përmban shfuqizimin e nenit 128, pika 1, gërma “d”, që iu heq të drejtën shtetasve shqiptarë të vazhdojnë të mbajnë lejen e drejtimit shqiptare, në rast se ata pajisen me një leje drejtimi të huaj.
Neni 12 përmban një ndryshim në nenin 132, pika 1 të ligjit aktual, ku afati 15-ditor zëvëndësohet me afatin 30-ditor, sa i përket të drejtës që kanë qytetarët shqiptarë me banim jashtë vendit ose të huajve për të qarkulluar me automjetet të importuara përkohësisht ose të reja nga fabrika të blera për eksportim, me kusht që të kenë përmbushur detyrimet doganore.
Neni 13 përmban një ndryshim të nenit 140, pika 1 të ligjit aktual, sa i përket shpejtësisë maksimale të lejuara në autostrada, duke e rritur shpejtësinë nga 110 km/orë në 120 km/orë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Neni 14 përmban një ndryshim të nenit 193, pika 1 të ligjit aktual, sa i përket uljes së kufirit maksimal të gjobave nga dyqind mijë lekë në njëqind mijë lekë, cka rezulton një masë më proporcionale, pasur parasysh edhe nivelin mesatar të të ardhurave të qytetarëve.
Neni 15 përmban dy ndryshime të nenit 203 të ligjit aktual, sa i përket afatit kohor që kanë qytetarët për pagesën e gjobave, nga 5 në 10 ditë, pasi nga praktika ka rezultuar që mjaft qytetarë janë penalizuar për shkak të mos-hedhjes së gjobave në sistem në kohë.
Neni 16 parashikon hyrjen në fuqi të ligjit 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, në përputhje neni 83, pika 4 të Kushtetutës.
Raporti i vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore
Projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit.
Top Channel