Mbërrin në Ukrainë dërgesa e parë me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore

08/11/2022 08:12

Ukraina ka marrë në dorëzim dërgesën e parë të Sistemeve Kombëtare të Raketave të Avancuara Tokë-Ajër (NASAMS) dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore Aspide për t’u përdorur në luftimet ndaj forcave ruse.

“Do të vazhdojmë të rrëzojmë objektivat e armikut që na sulmojnë. Faleminderit partnerëve tanë: Norvegjisë, Spanjës dhe SHBA-së”, shkruajti në Twitter Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

 

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara po përshpejtonin dërgimin e sistemit të sofistikuar NASAMS në Ukrainë pas sulmeve të shumta ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, një grup kërkimor në fushën e mbrojtjes me seli në Londër, nënvizoi urgjencën për t’i siguruar Ukrainës më shumë pajisje dhe municione perëndimore për të përballuar sulmet me raketa dhe dronë.

Në një raport të institutit thuhet se “Perëndimi duhet të shmangë vetëkënaqësinë për nevojën për të forcuar urgjentisht kapacitetet ukrainase për mbrojtjen ajrore. Është thjesht falë dështimit të saj për të shkatërruar sistemet e lëvizshme SAM të Ukrainës [raketat tokë-ajër] që Rusia nuk është në gjendje të përdorë efektivisht fuqinë e zjarrit ajror potencialisht të rëndë dhe efikas të bombarduesve të saj dhe avionëve gjuajtës për të bombarduar objektivat strategjikë ukrainas dhe pozicionet e vijës së parë nga lartësia mesatare, siç bëri në Siri”.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të hënën se humbja e anëtarëve me përvojë të ekuipazheve ajrore nga Rusia gjatë luftimeve në Ukrainë po kontribuon në “mungesën e epërsisë ajrore” të Moskës dhe ka të ngjarë që situata të përkeqësohet nga përgatitja e dobët së bashku me “rreziqet e rritura të kryerjes së mbështetjes së afërt ajrore në zona me mbrojtje të dendur ajrore”.

Kapaciteti ajror i Rusisë “nuk ka gjasa të ndryshojë në muajt e ardhshëm”, tha Britania në një përditësim të postuar në Twitter. “Humbjet e avionëve të Rusisë ka të ngjarë të tejkalojnë ndjeshëm kapacitetin e tyre për të prodhuar skeletë të rinj avionësh. Koha e nevojshme për trajnimin e pilotëve kompetentë redukton më tej aftësinë e Rusisë për të rigjeneruar aftësinë ajrore luftarake”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA