Por, le të kthehemi edhe njëherë tek procedimi i Prokurorisë së Elbasanit ndaj Belegut. Drejtoria e Policisë ka marrë këtë padi penale në 16 janar të vitit 2008. Denoncuesi ishte i njëjti që i shkruante kryeministrit.
Në 8 shkurt të vitit 2008 prokuroria regjistroi procedimin penal pa emër konkret të dyshuari.
Për reth 1 vit me çështjen nuk u ndërmorën veprime. Kjo pasi inspektimet e realizuara nga autoritetet shtetërore për përmbushjen e detyrimeve koncesionare nga kompania “Darfo”, nuk kishin konstatuar probleme. Madje, oficerët e policisë gjyqësore e morën me rezerva faktin se ndër të tjera, në dëshminë e dhënë nga punëtori, shpreheshin probleme personale të tij me të zhdukurin Belegu.
“Më kanë hequr nga puna pasi unë dhe disa kolegët e mi kemi dalë në protestë për të protestuar në lidhje me kushtet e punës, diferencimet në pagë midis punonjësve të së njëjtës punë. Mua konkretisht për 5 muaj më kanë ndaluar 64800 lekët reja për arsye të tekave të adminsitratorit Eduart Belegu”.
Ndoshta, problemet ishin fshehur përmes ryshfeteve por, mungesa e padive nga shteti dhe kompania që mund të ishte dëmtuar, ishin faktorë të rëndësishëm që çështja të arkivohej në sirtarë. Historia ndryshoi kur Eduard Belegu po fuqizohej dhe filloi tu shkaktonte probleme konkurentëve në biznes. Çështja e vjetër e drejtësisë ridoli në skenë.
Në 11 Nëntor të vitit 2009, ndaj Eduard Belegut u regjistrua procedim penal. Ky është dokumenti i firmosur nga prokurori ku urdhërohet regjstrimi i emrit të biznesmenit mes të pandehurve.
Ai akuzohej për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Së bashku me Belegun u morën të pandehur vartësit e tij Tonin Gjonaj, Nikolin Gjonaj, Fatos Pengu dhe Artur Belegu. Të gjthë këta shtetas ishin përmendur në dëshmitë e punëtorëve për nxjerrjen jashtë funksioni të aseteve të kompanisë dhe shitjen e tyre për skrap.
Disa ditë më vonë, biznesmeni Belegu do të vihej në pranga në një operacion demonstrativ. Ndalimi i tij u bë pranë zyrës që sapo kishte marrë pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
“Kjo cështje ka shumë dritëhije, kush luajti rolin determinat që ky person të intimidohej, të detyrohej të bënte diçka dhe ky person për shkak të kësaj të kthehej në shënjestër e pastaj të humbte gjurmët” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.
Top Channel