“Jemi profesion në zhdukje, fëmijët e mi i nxis të shkollohen ku shohin perspektivë”, tha Tiku, tornitori gjysmëshekullor.

Ofiçinën e tornitor Tikut, që ndodhet në periferi të kryeqytetit, e njeh “gjysma e Tironës”, siç na thotë vetë ustai.

E kam nisur këtë punë që në vitin 1976, në “Uzinën Enver”, sapo mbarova klasën e tetë. E mora me shumë dëshirë dhe u dashurova me këtë profesion. Tjetër zanat nuk di të bëj, përveç tornos. Po bëj gati 50 vjet, gjysmëshekulli.

Fëmijët e mi nuk kanë ndonjë qasje ndaj këtij profesioni, kjo lë për të dëshiruar. Edhe ne jemi si specie në zhdukje, se do iki dhe ky brezi ynë dhe shumë gjynah që ta braktisësh këtë zanat, se nuk ka punëtorë dhe nuk ka të ardhme. Nuk mbahet mend, që kur kam patur praktikantin apo nxënësin e fundit, që donte të mësonte këtë profesion, tornon. Një tornitor bën gjithçka që lidhet me makineritë e rënda, të lehta, veturat, me pjesët e këmbimit. Edhe tani në ofiçinë po riparojmë aksin e një fuoristrade.

Emigrimin nuk e kam provuar ndonjëherë, se edhe punë kam pasur, familjen e kam mbajtur, por edhe nuk më ka pëlqyer shumë. Për sa i përket fëmijëve të mi, ky vend duket si I mbaruar, se nuk ka perspektivë. Mirë do të ishte të rrinin këtu dhe ato dije t’i vinin në zbatim në vendin e tyre. Por kanë ikur të gjithë, jo po ikin, por kanë ikur tashmë shumica. Shohin të ardhmen e tyre, pasi këtu je I përbuzur, je I nëpërkëmbur, këtu je në dorë të Zotit”, tha Adriatik Kapaj.

Top Channel