Korça është rajoni që po kultivon më shumë fasulen e zezë dhe e kanë lidhur më shumë se kurrë fatin e tyre me shijen kulinare të peruanëve, kubanezëve e amerikanëve që preferojnë këtë bishtajore me ngjyrë.
Ekspertët e AgroWeb.org konfirmojnë se fasulet e zeza kanë disa vlera ushqyese që i dallojnë nga fasulet e tjera. Mes të mirave shëndetësore të tyre, fasulet e zeza ndihmojnë në forcimin e kockave, ato përmbajnë vitamina dhe minerale që mbrojnë fuqishëm zemrën.
Hekuri, kalçiumi, fosfori, magnezi dhe zinku ndihmojnë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e strukturës së kockave duke i forcuar ato.
Fasulet e zeza janë natyralisht me sasi të vogla të natriumit dhe përmbajnë kalium, kalçium dhe magnez. Këto minerale janë vërtetuar tashmë si elementët bazë që ulin presionin e gjakut në mënyrë të natyrshme.
Fasulet e zeza nxisin gjithashtu mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, duke u ardhur në ndihmë diabetikëve.
Fatos Hoxhaj, një prej kultivuesve të këtij varieteti në Korçë, thotë se pesë vite më parë, as që nuk e njihte këtë varietet të fasules.
Por me kalimin e kohës përveç shijes së mirë në gatim, nisi t’i shijojë dhe fitimi nga ky kultivar i veçantë.
“Vitin e kaluar e shita të gjithë sasinë. Nuk më ngeli as edhe një kokërr e vetme fasule e zezë pa shitur”, thotë Hoxhaj.
Ai është një nga fermerët e paktë që kultivojnë fasulen e zezë në zonën e Korçës. Arsyeja është e thjeshtë: “Fermerët kanë frikë të kultivojnë më shumë fasule të zeza për shkak të kërkesës së ulët. Jo shumë njerëz i njohin vlerat e fasules së zezë”, shpjegon Hoxhaj.
“Fasulet e zeza janë shumë më të shtrenjta sesa të bardhat, pasi kërkojnë më shumë përkujdesje”, thotë Hoxhaj. Ai nxit fermerët e tjerë të zonës që ta kultivojnë fasulen e zezë, për shkak dhe të ardhurave që siguron ky produkt.
Por padyshim edhe lidhjes tradicionale që shqiptarët kanë me fasulen. Që shqiptarët i duan shumë fasulet, ky është një fakt që dihet tashmë.
Lidhja me këtë perim është aq e lashtë saqë është e vështirë të gjesh zanafillën e tyre në vendin tonë. Fasulet janë ushqimi kryesor në tryezat e amvisave shqiptare. Mesatarisht shqiptarët konsumojnë 5-6 kilogram fasule për frymë në vit, duke i kapërcyer të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për nga niveli i konsumit.
Gjithsesi prodhimi jonë prej 15 kv/ha vazhdon të mbetet i ulët.
Për vitin 2013, në vend sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë prodhuar 28 mijë ton fasule nga 14.192 ha në të gjithë vendin. Qarku i Fierit ka prodhimtarinë më të lartë me 6,393 ton, i ndjekur nga Elbasani me 5,699 ton dhe Korça me 3,457 ton fasule. Ndërkohë që përsa i përket eksporteve jemi pak mbrapa. Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë për eksportet e fasules.
Në vitin 2014, vlera monetare e eksporteve kapi shifrën e 20.207 Dollarëve amerikanë. Ndërkohë që Maqedonia për të njëjtën periudhë ka eksportuar më shumë se dyfishin duke kapur vlerën e 49.893 Dollarëve.
Në Piramidën e Ushqimit, legumet kanë aq vlera ushqimore sa futen në dy grupime. Në grupin e mishit dhe bishtajoreve, për nga vlerat e proteinave, si edhe në grupin e perimeve.
Top Channel