Dorëheqjet masive në Kosovë nga pala serbe, reagojnë Ministri i punëve të Brendshme dhe kryeministri Kurti: Jemi kërcënuar edhe më herët

07/11/2022 16:03

Ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar në lidhje me dorëheqjet masive nga pala serbe që po ndodhin kohët e fundit në Kosovë.

Xhelal Sveçla tregoi një shifër të dorëheqjeve deri më tani, ku numrin më të lartë e mbajnë policët e rendit publik dhe kufitarë.

“Deri më tani janë pranuar njoftimet për dorëheqje 578 dorëheqje prej të cilave, 461 nga policia e rendit publik, 107 nga policia kufitare dhe 10 nga hetimet. Dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve  dhe shantazheve me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre zyrtarëve policor nëse nuk japin dorëheqje. Institucionet po punojnë për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Njëkohësisht për këtë situatë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se Serbia po dirigjon këto vendime duke refuzuar planin franko-gjerman.

“Nuk bëhet fjalë as për tabela, as për Asociacion, as për Gjuriqin, bëhet fjalë vetëm për kundërshtimin që ia kanë bërë Evropës dhe BE-së. Këtë koordinim që e kanë me Kremlinin dhe Putinin, këtë po e përdorin te ata që ende i dëgjojnë, si pjesëtarë të strukturave kriminale. Çka po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive. Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Rruga që ka zgjedhur është kërcënimi i qytetarëve”.

Ai tha se janë kërcënuar edhe më parë për të njëjtat vendime që morën, por njëkohësisht u bënte thirrje për të vijuar punën.

“Sa i përket dorëheqjeve, të them të drejtën disa herë gjatë vitit ne jemi kërcënuar me një hap të tillë, se do të krijohet vakuum, se do të implodojnë institucionet e sistemit, se do të ketë trazira, se do të ketë trazira dhe po bëjmë gjithçka që asnjëra të mos ndodhë edhe të gjithë qytetarët serbë që kanë detyra zyrtare në institucionet e Kosovës, edhe një herë iu bëjë thirrje të mos i braktisin ato, mos t’i bojkotojnë ato”.

Kurti foli për moszbatimin e kërkesës së SHBA-së për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave.

“Asnjë vendim i yni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan asnjë zyrtar evropian, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. SHBA i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë gjithçfarë komunikatash. Partneriteti ynë me ta, aleanca jonë me ta është aleancë mbi vlera dhe qëllime të përbashkëta. Ne e kemi shtyrë një herë vendimin, jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit. Duke marrë parasysh shqetësimin për paqen dhe sigurinë, kemi bërë diferencim në qasje dhe sekuencim në zbatim dhe kemi përdorë ligjin që ofron mundësinë e qortimit, të gjobave dhe më pastaj të targave të përkohshme dhe kjo bëhet duke i njoftuar ata”.

Ndërsa për zgjedhjet që do të zhvillohen së shpejti në vendet ku po ndodhin dorëheqjet, kryeministri tha se do të ndiqen të gjitha afatet ligjore.

“Më vjen keq që tash duhet të mbajmë zgjedhje në komunat ku po japin dorëheqje kryetarët e komunitetit serbë, ata kanë mundur të vazhdojnë mandatin e tyre por fatkeqësisht këto dorëheqje qartazi që po shpien në zgjedhje në ato komuna. Duhet të ndiqen afatet ligjore. Edhe në kaluarën kanë dhënë dorëheqje dhe kishim zgjedhje. Nuk ka pas nevojë të kemi zgjedhje, por çka të bëjmë nuk ishte në dorën tonë. Dorëheqja është dorëheqje e atij që jep dorëheqje”.

Kurti u pyete edhe për kërkesën e BE-së dhe SHBA-së për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku u përgjigj se nuk ka asgjë të re për pyetjet e vjetra.

“Ju e dini shumë mirë që pyetjeve tuaja për asociacionin unë ju përgjigjem tash e nëntë vjet, pse po besoni që sot është pyetje e re kjo? Po qe nëntë vjet përgjigjem për asociacionin unë, prej 2013, qe nëntë vjet përgjigjem për asociacionin, unë nuk kam gjëra të reja në përgjigjen time për pyetje të vjetra”.

Top Channel