Nën këngët nacionaliste, serbët e veriut të Kosovës u mblodhën në sheshin “Car Lazar” për të protestuar, derisa mbi urën e lumit Ibër ishin shtuar njësitet e KFOR-it për të mbikëqyrur situatën.

Të mbuluar edhe me flamuj të Serbisë tregonin se për ta nuk ka shtet tjetër në Mitrovicë të Veriut.
Para turmës e më kërkesë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, foli i pari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Me dorëheqjet tona mbrojmë marrëveshjen e Brukselit. Ne duam paqe, paqe dhe vetëm paqe. Ju lutemi mos bini pre e provokimeve, ne nuk jemi faktor përçarës, ne duam të tërheqim të gjitha vendimet e njëanshme për targat dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit, duke krijuar Asociacionin e Komunave serbe”, tha Goran Rakiq-kryetar, Lista Serbe.

Ndërkohë që ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq iu kundërpërgjigj edhe kryeministrit Albin Kurti për deklaratën se nuk ka komuna serbe.

“Para disa ditësh Kurti tha se s’ka komuna serbe në Kosovë, tani s’ka institucione të Prishtinës në veri të Kosovës”, u shpreh Igor Simiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në fjalimin e tij para protestuesve Simiç mes tjerash ka kërkuar nga ata të përshëndesin edhe Milan Radojçiç, nënkryetar i Listës Serbe që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Para masës ka folur edhe drejtori i suspenduar Nenad Gjuriç, ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ish kryetarja e Gjykatës së Mitrovicës Liliana Stevanoviç dhe të tjerë.

Menjëherë pas protestës, policët serbë dorëzuan dorëheqjet e tyre pranë stacionit policor në Mitrovicë të Veriut. Në të gjitha stacionet e komunave veriore u zbatua e njëjta formë e dorëzimit të detyrës, megjithatë në Zveçan pati policë që u larguan nga stacioni pa uniformë por me pajisje.

Derisa policët serbë dorëhiqeshin nga institucioni, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla shkoi drejt pikës kufitare në Bërnjak dhe Jasenovik, pikë kjo që ditë më parë u sulmua nga persona të panjohur.

Protesta e serbëve përfundoi e qetë, por një natë më parë në Leposaviq mori flakë një objekt, pronë e një qytetari serb.

Top Channel