Me tone të forta, këngë nacionaliste dhe himnin e Serbisë, serbët kanë mbajtur tubim sot në veri të Mitrovicës, derisa po mbanin flamuj të Serbisë e pankarta të shumta me përmbajtje, ‘Ne kemi një shtet, Serbinë’, “Të gjithë jemi Nenad Gjuriç”.
Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiç, tha se serbët përmes dorëheqjeve janë duke mbrojtur marrëveshjen e Brukselit, sipas Kosovapress.
Sipas tij, serbët nuk duan ta kërcënojnë askënd, por duan vetëm të përmbushen të gjitha marrëveshjet e Brukselit, duke përfshirë formimin e Asociacionit, si dhe tërheqjen e vendimeve, siç i quajti ai të njëanshme, vendimin për targat etj.
“Me dorëheqjet tona ne jemi duke mbrojtur marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare. Kujtojeni faktin se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe liderët tjerë nga Prishtina shumë herë kanë përsëritur se për ta nuk ekziston marrëveshja e Brukselit dhe se kurrë nuk do të bëhet Asociacioni i komunave serbe. Marrëveshjet nuk iu interesojnë me ç’rast kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe kanë pështyrë në fytyrë të Unionit Evropian, e cila ka qenë garant i zbatimit të këtyre marrëveshjeve dhe garanci për neve se nuk do të jemi të mashtruar. Dua të shfrytëzoj rastin të theksoj në veçanti se ne dëshirojmë paqe dhe vetëm paqe .. Ne nuk duam ta kërcënojmë askënd, përveç se dëshirojmë që të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe të formohet Asociacioni dhe të përmbushen të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Natyrisht të tërhiqen të gjitha vendimet e njëanshme si ai përket targave”, ka thënë Rakiç, duke bërë thirrje qytetarëve që mos të bien pre e provokimeve.
Igor Simiç, nënkryetar i Listës serbe, ka kërkuar nga të pranishmit duartrokitje të forta për Millan Radoiçiç, të cilin e quajti serb të madh e patriot të sinqertë, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte shpallur në listën e zezë para disa kohësh.
“Dorëheqjet të të gjithë neve nga Lista serbe, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve të ndershëm, nuk janë rezultat i asaj se jemi lodhur, por për faktin se nuk duam të jemi paravan të institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë me dhunën institucionale ndaj popullit tonë…(Bashkësia Ndërkombëtare) Mbrëmë vonë na ka dërguar disa lloj ftesash paralajmërime, disa mund të thonë edhe kërcënime, që të kthehemi nëpër institucione, por zotërinj, kur keni heshtur derisa suspenduan Gjuriqin, rrahur qytetarët tanë dhe rrejshëm kanë ngritur aktakuza, atëherë heshtni edhe tani sepse nuk keni çfarë të thoni të mençur. Kurti para disa ditësh ka përsëritur se nuk ka komuna serbe në Kosovë, me qindra herë ka thënë se nuk ekziston marrëveshja e Brukselit dhe obligimi i tij për formimin e Asociacionit, e pra, prandaj nuk ka deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës dhe institucione të Kosovës në veri… Më duhet të premëni njeriun i cili vitet e fundit është duke bartur barrën më të madhe vetëm se e donë dhe mbron popullin serb dhe shtetin e Serbisë, andaj ju lusë që me duartrokitje të fortë ta përshëndesim patriotin e sinqertë dhe serbin e madh, i cili asnjëherë nuk iu nënshtrua presioneve dhe nënçmimeve, vëllain tonë, Millan Radoiçiçin”, tha ai.
Ndërkaq, Millan Radojeviç, kryetari në dorëheqje i komunës së veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur se me dorëheqjet lufta nuk ka mbaruar, por do të vazhdojë në forma të tjera.
“Kanë tentuar të na thyejnë shumë herë, në 99 , 2004, 2008 shtator të vitit të kaluar dhe nuk ia dolën kurrë, as tani, ne do të vazhdojmë të luftojmë… Me këtë përmbyllje që arritëm, sot në mëngjes unë dhe kolegët e mi mbajtëm seanca urgjente të kuvendit komunal, ku të gjithë zyrtarisht dhamë dorëheqjet. Lufta jonë nuk ka mbaruar, lufta jonë vazhdon ende, por do të jetë në një formë tjetër dhe nuk ka dorëzim”, tha ai.
Në anën tjetër, drejtori i pezulluar i policisë, Nenad Gjuriq, duke cituar shkrimtarin serb Njegosh, ka arsyetuar dorëheqjen e tij, duke thënë se s’ka dashur më të shërbejë për t’u ndjerë i turpëruar para popullit të tij.
‘Për të gjithë ata që lëkunden dhe dyshojnë në të vërtetën e veprave të bëra, dua ta citoj të madhin Njegosh i cili tha, të gjithë lindin për të vdekur një ditë, nderi dhe turpi rrojnë përjetë”, potencoi Gjuriç.
Top Channel