Serbët në veri të Kosovës kanë paralajmëruar sot largimin nga institucionet e Kosovës, ndërsa në Beograd mbahet sakaq një mbledhje urgjente e ekzekutivit, ku merr pjesë edhe presidenti Aleksandar Vucic.

Fokusi i këtij takimi është pikërisht situata në Kosovë. Kreu i Listës serbe, Goran Rakic ka palajmëruar se do të sugjerojë që serbët të largohen nga institucionet. Lëvizja e tij pasoi shkarkimin e drejtorit të Policisë për veriun, Nenad Gjuric, i cili refuzoi hapur të zbatonte vendimin e Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat konsiderohen të paligjshme nga autoritetet kosovare.

Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat deri më tani janë toleruar vetëm në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb atje e bënë të qartë se nuk do të respektojnë as fazën e parë të vendimit, që parashikon qortimin e drejtuesve të mjeteve me targa serbe.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim, sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, deklaroi më herët Gjuric. I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua mbrëmjen e se premtes me Vucic, e sipas tij, palët ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen. “Shpresoj që te gjithe të tregojnë përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, theksoi Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Top Channel