Anëtarët e komisionit PEGA të Parlamentit Evropian , pas një vizitë dyditore në Athinë dhe kontakteve që patën, u kanë bërë thirrje autoriteteve greke që të dyfishojnë përpjekjet për të hetuar një skandal të përgjimeve shtetërore dhe të zbardhin gjithë dritëhijet e tij para zgjedhjeve kombëtare.

Bëhet fjalë për komisionin që heton rastet e përgjimeve të qytetarëve, në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe konkretisht në Greqi, ku në muajin korrik, u zbulua se përgjohej Nikos Androulakis, eurodeputet dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, një tjetër politikan i lartë i opozitës si dhe dy gazetarë grekë. Përgjimet kryheshin nga telefonat celularë me anë të një softueri ilegal të njohur si Predator.

“Ne mësuam shumë, por gjithashtu mendojmë se shumë nga pyetjet tona mbeten pa u përgjigjur. Sophia in ‘t Veld, Raportuese dhe anëtare e komitetit PEGA Më pëlqen ta bëj krahasimin me një puzzle me një mijë pjesë. Mungojnë ende njëqind pjesë, por ju mund të shihni se çfarë është imazhi. Dhe nuk është i bukur.”- tha Jeroen Lenaers, Kryetar i komitetit PEGA

Skandali detyroi të japë  dorëheqjen në gusht shefi i shërbimit të inteligjencës greke si dhe drejtori i zyrës së kryeministrit Mitsotakis, njëkohësisht nipi i tij. Parlamenti grek krijoi një komision për të hetuar skandalin, por hetimi përfundoi pas vetëm një muaji.

“z. Mitsotakis zgjedh errësirën e mbulimit të skandalit, pavarësisht se vazhdimisht dalin në dritë zbulime të reja për përgjimin e kundërshtarëve të tij politikë, gazetarëve dhe madje edhe ministrave të tij, të cilët monitoroheshin në mënyrë të paligjshme përmes përgjimeve nga Inteligjenca, softuerit ilegal Predator, apo në mënyrë të kombinuar.”- tha Aleksis Tsipras kreu i opozitës

Qeveria greke ka mohuar dhe vazhdon të mohojë kategorikisht përdorimin e softuerit të paligjshëm . Ajo ka pranuar se inteligjenca shtetërore përgjoi kreun e socialistëve , pa bërë të ditur arsyen. Vetë Mitsotakis, që  kur u bë kryeministër në vitin 2019 , ka marrë nën kontroll Shërbimin Informativ , ka premtuar të ndalojë përgjimet e paligjshme.

 

Top Channel