Karabinierët kapin dy trafikantë drogash në sheshxhirimin e filmit të Denzel Washington në Itali (fotot)

03/11/2022 21:32

Karabinierët italianë kanë arrestuar sot dy anëtarë të setit të xhirimit të filmit të aksionit të Denzel Washington “The Equalizer 3” me 120 gramë kokainë, gjatë një bastisjeje në dhomat e tyre të hotelit.

Bastisja u krye në qytezën Maiori në bregdetin e Amalfi dhe vjen pas vdekjes së papritur nga ataku kardiak e kreut të shërbimit “catering” të produksionit.

E përditshmja Il Giornale shkruante se 55-vjeçari kishte rënë përtokë teksa dilte nga një bar i zonës dhe vdiq më vonë nga ataku kardiak.

Disa qese kokainë u gjetën më pas në xhepat e tij, çka bëri policinë të dyshonte se mund të kishte më shumë droga në setin e produksionit të filmit “The Equalizer 3”.

Pas operacionit të policisë dy punonjës italianë të produksionit u arrestuan dhe u lanë në arrest shtëpie me akuza trafiku drogash.

Seria e tretë e filmit të aksionit “The Equalizer” drejtohet nga aktori Denzel Washington dhe po filmohet në brigjet e Amalfi në Itali.

Dy të ndaluarit u arrestuan pas një eventi privat gjatë ditës së tyre të pushimit dhe nuk ishin në setin e xhirimit, shkruan rrjeti Deadline, duke cituar burime anonime.

Një anëtar i tretë i stafit u gjet në zotërim të një sasie të vogël kokaine “për përdorim personal”, të cilit iu hoq patenta e drejtimit të automjetit.

Filmi është duke u prodhuar nga studiot Sony Pictures në bashkëpunim me ato italiane Eagle Pictures.

“The Equalizer 3” vjen me regji të Antoine Fuqua, dhe kasti i aktorëve udhëhiqet nga Washington e Dakota Fanning.

67 vjeçari Washington, rimerr rolin e tij si marinsi në pension Robert Mcall.

Filmi pritet të dalë vitin që vjen.

FOTO GALERI
1/5
Karabinierët italianë kanë arrestuar sot dy anëtarë të setit të xhirimit të filmit të aksionit të Denzel Washington “The Equalizer 3” me 120 gramë kokainë

Top Channel