Me tone të ashpra i është drejtuar kreu i AAK-së në opozitë, Ramush Haradinaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga i cili kërkon ndryshim të qasjes në raport me targat, në të kundërt, thotë ai, shefi i ekzekutivit do të shkojë drejt tradhtisë.

Situata në Kosovë po përkeqësohet nga momenti në moment, dhe kryeministri, shkruan Haradinaj në Facebook, “nuk e ka idenë se c`po ndodh me vendin e tij”.

Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë qasje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat dhe të mos rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë, e jo për populizma për të shëruar egot e sëmura të Kryeministrit. Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, të rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë. Nëse kryeministri nuk ndërron kursin e veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai është e sigurtë sigurt se po rrëshqet në tradhëti“- shkroi Haradinaj në Facebook.

Në 30 tetor, qeveria e Kosovës u shfaq e prerë në lidhje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në mënyrë që ato të konvertohen në targa të Kosovës, RKS. Prishtina zyrtare e hodhi këtë hap pavarësisht insistimit të ndërkombëtarëve që vënia në jetë e vendimit të shtyhej me 10 muaj, me qëllimin të shmangej një shpërthim i ri i tensioneve me serbët në veri.

Plani i ri i Qeverisë së Kosovës pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që lëvizin me targa serbe; e dyta parashikon gjobë deri në 150 euro dhe e treta, targa prove. Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” nga qëndrimi i Prishtinës, e të njëjtën linjë qëndrimi pati edhe Bashkimi Europian.

Top Channel