Dhjetëfishimi i gjobave për bizneset që bëjnë evazion është antikushtetues. Kështu e ka cilësuar Dhoma Amerikane e Tregtisë këtë nismë të qeverisë, në komentet e saj dërguar Komisionit të Ekonomisë për paketën fiskale 2023.

Ndryshimet e ligjit për procedurat tatimore parashikojnë dhjetëfishim të gjobave për bizneset që nuk lëshojnë faturë tatimore, masë e cila është kundërshtuar ashpër edhe nga shoqatat e biznesit pak ditë më parë. Rritje e masës së gjobës parashikohet edhe për shkelje të tjera që bëjnë biznese, si ajo për mosdeklarimin e pagave reale.

Ndërsa ka lëshuar kritika për kohën e shkurtër të konsultimeve publike të ndryshimeve ligjore të propozuara në paketën fiskale 2023, Dhoma Amerikane shton se në këtë kohë të vështirë për bizneset, qeveria duhet të ndërmerrte masa lehtësuese dhe jo të kundërtën. Grupet e interesit thekson Dhoma Amerikane duhet të kishin më shumë kohë në dispozicion për të shqyrtuar ndryshimet ligjore që propozohen.

Sipas përfaqësuesve të Dhomës Amerikane, ashpërsimi i gjobave të propozuara do të nxisë korrupsionin e administratës tatimore dhe kjo qasje do të rezultonte jo efektive sidomos në këtë periudhë krize ndërkombëtare kur pasiguritë janë shtuar ndjeshëm për ekonominë.

Anëtarët e Dhomës kanë ngritur shqetësim edhe lidhur me unifikimin e akcizës së birrës pasi sipas tyre do të godasë prodhuesit vendas dhe sipas tyre në vend të ndryshimit të normave të taksimit për të ndalur abuzimet, qeveria duhet të forcojë sistemin e kontrollit.

Dhoma Amerikane i bën apel Ministrisë së Financave që të rishikojë edhe një herë ndërhyrjet që ka planifikuar në paketën fiskale 2023.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA