Dhuna ndaj të moshuares në Pejë, policia jep detaje! Veprat penale që rëndojnë mbi infermieret

03/11/2022 10:15

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë, ku një e moshuar është sulmuar fizikisht nga infermieret.

Sipas policisë, në lidhje me rastin që ka ndodhur të shtunën e 29 tetorit, janë arrestuar tre punonjëset Aurona Pelaj, Altina Rezhepi dhe Remzie Kuqi, të cilat  dyshohen për veprat penale “Sulmi/moslajmërimi i përgatitjes së veprës penale/fotografim dhe incizimet tjera të paautorizuar”.

“Pejë 29.10.2022 – NN. Pas publikimit në media të një video ku shihet se keqtrajtohet një person i moshuar i gjinisë femërore në një shtëpi te pëlqeve në Pejë. Në lidhe me rastin janë identifikuar dhe arrestuar tri të dyshuara të gjinisë femërore kosovare, punëtore në shtëpinë e lartcekur”, thuhet në raportin policor.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarave iu është dhënë masa e ndalimit policor për 48 orë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur disa ditë më parë, por dje u bë publike, pas publikimit të një videoje ku duket se infermierja Aurona Pelaj, ushtron dhunë fizike ndaj të moshuarës, që në fakt paguhej që të kujdesej për shëndetin e saj.

Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar e reja që ushtron dhunë, si dhe dy koleget e saj që ishin të pranishme dhe nuk bënë asgjë për të ndaluar një akt të tillë monstruoz por ju “bashkuan” me të qeshura. Të arrestuara janë Aurona Pelaj Altina Rezhepi dhe Remzie Kuqi.

Top Channel