Është përfolur prej kohësh, por tani duket më e prekshme mundësia që Donald Trump të përgatisë rikandidimin për Shtëpinë e Bardhë.
Ish presidenti ishte së fundi në Robstown të Teksasit, ku përmendi dy garat e tij të mëparshme dhe la të kuptohej se nuk janë të mbyllura gjasat për një të tretë. Ndërkohë që dhe muajin e kaluar, e hodhi një shashkë.
“Për ta bërë vendin tonë të suksesshëm, të sigurt dhe madhështor përsëri, ndoshta do të më duhet ta bëj të kandidoj sërish“- tha Trump.
Ndihmësit e ish-presidentit kanë nisur në heshtje përgatitjet për një fushatë presidenciale për vitin 2024 që mund të nisë menjëherë pas zgjedhjeve për Kongresin të javës së ardhshme.
“Jam 95% i sigurt që ai do të kandidojë,” thotë Reince Priebus, ish-shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë të Trump. “Pyetja e vërtet është nëse do të kandidojnë sfidues të tjerë me peshë? Nëse presidenti Trump kandidon, do të jetë shumë e vështirë për çdo republikan që të fitojë ndaj tij.
Përgatitjet për një deklarim të mundshëm vijnë ndërsa ish-presidenti ka rritur në mënyrë dramatike shpenzimet për kandidatët e tij të preferuar pasi u përball me kritika se nuk kishte ndihmuar sa duhet financiarisht. Komiteti i tij i Veprimit Politik, MAGA Inc. që sapo është krijuar, ka shpenzuar deri tani mbi 16.4 milionë dollarë për reklama në një pjesë të vogël të shteteve konkurruese dhe dhurime shtesë priten gjatë ditës së zgjedhjeve.
Ndalesat e tij të fundit para zgjedhjeve të 8 nëntorit do të jenë në Ohajo dhe Pensilvani, dy shtete vendimtare për zgjedhjet presidenciale, ku mbështetja e tij ndihmoi kandidatët të siguronin emërimet e tyre.
Top Channel