Ambasadori amerikan kërkon shtyrjen e afatin për targat: Incidentet në veriun e Kosovës, vepra kriminale!

02/11/2022 16:18

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, përsëriti të mërkurën kërkesën e Shteteve të Bashkuara që qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave, ndërsa dënoi dëmtimin e pronave të qytetarëve serbë në veri që kanë konvertuar targat e tyre.

Të mërkurën policia e Kosovës tha se gjatë natës në komunën e Zubin Potokut në veri është djegur makina e një pjesëtari të komunitetit serb i cili kishte bërë zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Nuk pati të arrestuar por policia tha se mbetet e përkushtuar për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënies dhe dëmtimit të pronës private të atyre qytetarëve serbë që i kanë konvertuar targat e makinave.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të makinave RKS sipas ligjit të Kosovës. “Këto janë vepra qyqare dhe kriminale”, shkroi ai në rrjetet sociale duke nënvziuar se Shtetet e Bashkuara ritheksojnë kërkesën për zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit të këtij vendimi ashtu që tabelat RKS të mund të vendosen përgjatë 12 muajve, derisa nënvizoi se Kosova “ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”.

Të martën autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Paralajmërimet filluan pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave, një çështje që në të kaluarën ka nxitur tensione të larta me Serbinë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet serbe thanë të martën se kanë ngritur avionët ushtarak pasi, siç u tha, dronë vëzhgues u panë në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën, ndërsa autoritetet në Prishtinë i cilësuan pretendime të pavërteta që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha sot se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë” dhe kanë vëzhguar trupat e ushtrisë serbe.

Nuk pati ende ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë në Kosovë, ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në një postim në rrjetet sociale hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe duke theksuar se ato synojnë krijimin e një “preteksti për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, siç tha ai, “si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur tensionet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Udhëheqësit e vendeve të rajonit pritet që të enjten të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, në kuadër të takimit të procesit të Berlinit, në një përpjekje të perëndimit për të nxitur proceset integruese të rajonit që ende bart tensionet e së kaluarës dhe për shkak të frikës nga ndikimi rus dhe kinez në rajon.

Top Channel