Pas aboneve falas dhe përgjysmimin e kostos së konvikteve, Kartës së Studentit i shtohet një tjetër shërbim

01/11/2022 17:49

Kartës së Studentit po i shtohen çdo ditë shërbime të reja, që lehtësojnë studentët në rrugëtimin e tyre drejt dijes.

Pas vendimit për abonetë falas për studentët, si dhe subvensionimin 50% të kostos së konvikteve, Bashkia e Tiranës nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Teatrin e Operas dhe Baletit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që në shërbimet që u ofrohen studentëve të ketë edhe lehtësira të tilla, siç janë aktivitetet kulturore.

“Kur të shkruhet historia e këtij vendi, për secilin prej nesh do të pyetet: Nëse kontribuam për sherr, duke provokuar njëri-tjetrin, apo ishim ura bashkëpunimi, për të gjetur gjuhën dhe për të ndarë se çfarë është e rëndësishme tani? Me Kartën e Studentit ne ofrojmë jo vetëm shërbime fizike me kosto të ulëta, por edhe mundësi për të ndjekur aktivitete kulturore, që janë për shpirtin dhe mendjen”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku risolli edhe njëherë në vëmendje protestën e pedagogëve, duke theksuar se pezullimi i mësimit nuk u shërben studentëve, të cilët rrezikojnë të humbasin një tjetër vit akademik. Ai shtoi se duhet gjetur koha e duhur për çdo gjë, por jo tani kur vendi dhe bota po përballen me krizën e çmimeve.

“Unë nuk e di si ndihet një prind që, pasi nuk u bë një vit shkollë prej tërmetit, dhe një vit prej pandemisë, tani shohin këtë protestë. I rikuperojmë dot vitet e jetës akademike, kur dikush bën grevë tani që fillon shkolla? Ndërkohë, e kishim gjithë verën për të diskutuar për këto. Nuk i heq meritat askujt, edhe pse i njoh të gjithë, ambiciet e tyre politike, garën që po afron, kush e kush të dalë më i zellshëm edhe brenda një grupi politik. Pyetja është: A eshte ky momenti për të lënë fëmijët pa shkollë? A ka prind që thotë: derisa fëmija im nuk shkoi në shkollë tre vite, mos të shkojë as këtë vit? E dyshoj shumë këtë! Qofsh i majtë apo i djathtë, te fëmija nuk fal njeri. Unë besoj se në disa tema duhet të bëjmë super debat, edhe për artin, edhe kulturën, se ka disa gjëra që mund t’i bëjmë më mire, janë disa gjëra që nuk ka diskutim që duhet të fokusohemi, si arsimi cilësor. Por, ta kalojmë njëherë këtë krizë, pastaj gjejmë kohën e duhur për debat”, vijoi ai.

E për të gjithë ata që në vitin 2022 flasin për të ardhurit në Tiranë, Veliaj tha: “Unë jam kryetari i bashkisë dhe ende shoh njerëz që thonë, jo kush është i ardhur, jo kush është konviktor. Si duhet të ndihet për këtë një student që vjen nga Këlcyra ose nga Kopliku, apo Memaliaj e Maqellara?”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA