Izraelitët votojnë të martën – për të pestën herë, në më pak se katër vjet – për të zgjedhur kryeministrin e ri.
Në këto zgjedhje ka mundësi që partitë e të djathtës ekstreme të përjetojnë rritje dhe të bëhen vendimtare për koalicionin qeveritar.
Benjamin Netanyahu, ish-kryeministri izraelit që ka qeverisur Izraelin për 12 vjet, aktualisht është duke u gjykuar për korrupsion, mirëpo partia e tij Likud pritet të fitojë më së shumti ulëse në Parlament.
Vetë Netanyahu hedh poshtë akuzat kundër tij.
Siguria dhe rritja e çmimeve janë në krye të prioriteteve të votuesve në këto zgjedhje.
Ky proces zgjedhor është nxitur nga vendimi i kryeministrit, Yair Lapid për të shpallur zgjedhje të parakohshme, si pasojë e largimeve nga koalicioni i tij qeveritar.
“Ky process përbën zgjedhje në mes të së ardhmes dhe të kaluarës. Prandaj dilni dhe votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e shtetit tuaj”, ka thënë Lapid nga Tel Avivi.
Sipas sondazheve, asnjëra parti nuk do të arrijë të fitojë shumicën prej 61 ulësesh në Parlamentin me 120 të tilla.
Top Channel