Në skemën kombëtare të bujqësisë kanë aplikuar vetëm 23% e fermerëve që kanë një nipt aktiv të regjistruar.
Kjo e dhënë është një tregues i qartë se fondeve nuk iu afrohen dot një pjesë e madhe e fermerëve, duke zbehur besueshmërinë e skemës.
Por skema më e rëndësishme është mbështetja që jep Bashkimi Europian nëpërmjet IPARD. Duke qenë se Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e familjes Europiane, BE i paraprin këtij anëtarësimi me fonde në bujqësi.
Qëllimi i këtyre fondeve është përafrimi i standardeve të prodhimit në Shqipëri me standardet e BE. Kështu kur të hapet tregu, produktet shqiptare të ketë një standard që mbrojnë popullatën nga sëmundjet që mund të përhapen nga ushqimi.
Nëse një projekt shpallet fitues atëherë këto fonde që mund të shkojnë edhe në miliona euro, falen plotësisht, me kusht që të përmbushet projekti. Por pikërisht dhënia falas e këtyre fondeve të majme e kanë kthyer skemën e IPARD-it në një skemë mjaft të lakmuar nga biznesmenë të fuqishëm apo njerëz të afërt me politikën, duke lënë jashtë fermerët e thjeshtë.
Të gjitha këto fonde që jepen si skema mbështetje për bujqësinë menaxhohen nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Frida Krifca, ministrja aktuale e Bujqësisë, ka qenë shpesh në qendër të akuzave për klientelizëm në shpërndarjen e fondeve.
Kjo, pasi për 4 vite me radhë, 2017-2021, ajo ka qenë drejtoreshë e AZHBR-së. Franc Kaloshi, është një ndër fermerët më të mëdhenj në fshatin Grabian të bashkisë Divjakë. Ai zotëron 200 ha tokë, një pjesë të cilat me qira, të cilat i ka krijuar nga bashkimi i pronave të 20 familjeve të ish të përndjekurve politikë në këtë zonë.
Por pavarësisht kësaj, ai nuk ka mundur asnjëherë të jetë pjesë e skemave mbështetëse. Këtë vit ai ka aplikuar tek skema mbështetëse e naftës, por fondet janë shumë të limituara. Aplikimi i tij është klasifikuar si i rregullt, por ende nuk i ka ardhur radha që të marrë naftën. Me shumë gjasa ai për shkak të mungesës së fondeve aplikimi i tij, megjithëse i takon të përfitojë, do të digjet.
“Unë nuk kam përfituar kurrë asnjë litër karburant nga shteti, unë kam rreth 200 ha tokë. Kam aplikuar këtë vit për 62 ha, i kam plotësuar me agronomin e komunës Grabjan, gjithçka është në rregull, aplikimi është konfirmuar që prej tre muaj, por deri më tani unë nuk kam përfituar asnjë litër naftë. Ndoshta unë do ta përfitoj por kam frikë se do të jetë shumë vonë, pasi në fund të vitit buxheti mbyllet. Dhe nëse mbyllet buxheti ky aplikim digjet”, u shpreh Franc Kaloshi.
Skema kombëtare e mbështetjes me naftë të fermerëve është një skemë diskriminuese, pasi lë jashtë saj 50% të aplikuesve, ose rreth 3 mijë fermerë.
“Pra jemi në kushtet kur 6 mijë fermerë i plotësojë kushtet por do të përfitojnë vetëm 50%. Për ne kjo është diskriminim….Është e papranueshme që një institucion shtetëror ti thotë një qytetari ty të takon, por ka ardhur tjetri para teje”, u shpreh Eduart Sharka nga Shoqata e fermerëve.
Top Channel