Censusi i Beogradit: 100 mijë shqiptarë në Serbi, Kurti-Kjo është historike!

31/10/2022 22:51

Të dhënat e censusit të kryer ne Serbi, tregojnë se në vend jetojnë 100 mijë shqiptarë, e pohuar kjo dhe nga shefi i Administratës rajonale të Preshevës, Hevzi Ramadani.

Ramadani ka saktësuar edhe numrin total të personave të regjistruar në harkun kohor të 31 ditëve në Luginë. Numri më i madh i shqiptarëve rezulton të jetë pikërisht këtu. Albin Kurti e cilësoi këtë jo si një process normal, por si një ngjarje kombëtare dhe historike.

“Informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

I jam mirënjohës  të gjithe spektrit politik shqiptar kudo qoftë, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti cdo regjistruesi shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë te gjithe shqiptaret.

Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.

President serb, Aleksandër Vuçiç provokoi javën e kaluar duke thënë se shifra që do të dalë nga regjistrimi i popullatës nuk do të tregojë numrin real të shqiptarëve në Serbi, me pretendimin se shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi. Faktori politik shqiptar në Luginë reagoi duke dënuar këtë deklaratë dhe kërkoi që cështja të jetë në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare.

Top Channel