Një ish-snajper i ushtrisë britanike që dhunoi rëndë dhe tentoi të mbyste të dashurën e tij gjatë një serie episodesh xhelozie ekstreme, është lënë i lirë nga autoritetet pasi justifikohej se “përndiqej nga tmerret që kishte parë gjatë shërbimit në Afganistan”.
26 vjeçari Junior Fordwor, i përshkruar në akuza si një burrë ‘manipulativ narcizist,’ kontrollonte e abuzonte të dashurën e tij 27-vjeçare modele kosmetike Stephanie Render, teksa në një prej incidenteve më të rënda e la pa ndjenja kur tentoi ta mbyste.
Por ai i ka shpëtuar burgut pasi gjyqtari pranoi se vuante nga stresi post-traumatik i luftës pas eksperiencave të përgjakshme në ushtri.
Në një prej incidenteve të dhunës Fordwor kishte shtrirë në dysheme zonjën Render pas tërbimit se ajo kishte ‘pëlqyer’ foton e një tjetër mashkulli në rrjetet sociale.
Në një tjetër rast ai kishte thyer enët e kuzhinës dhe kishte kërcënuar ta vriste, para se ta shtrëngonte në fyt deri sa ajo humbi ndjenjat.
Në gjykatën e Manchester u tha se Fordwor, kishte shërbyer me brigadën “mbretërore të pushkatarëve” si snajper, në konfliktin e rëndë të Afganistanit.
Ai u dënua me 21-muaj me burgim të pezulluar pasi gjykatësi pranoi se vuante nga PTSD (stresi post-traumatik) por u urdhërua të paguante 380 paundë kompensim ish-të dashurës dhe të kryente një periudhë 25 ditore rehabilitimi.
Prej atëherë ish-ushtaraku raportohet se ka marrë një diplomë nga fakulteti i legjislaturës John Moores në Liverpool.
Ndërsa zonjusha Render e cila punon në Manchester tha në deklaratën e saj: “Junior ka qenë i dashuri im prej dy vitesh, fillimisht jo seriozisht por më në fund u bëmë bashkë dhe unë shkova për të jetuar me të në Manchester”.
“Por me karakterin e tij dominues ai më bënte të ndjehesha gjithmonë se problemi isha unë. Më gënjente shumë, unë e doja por isha e trishtuar gjatë gjithë kohës me të”.
Avokatja e mbrojtjes tha se përveç problemeve të fëmijërisë, ai hyri në ushtri në moshën 16 vjeçare dhe kur ishte 18 vjeç u vendos në Afganistan, në një periudhë që pati efekt të rëndë në shëndetin e tij mendor.
Top Channel