Londra hedh poshtë akuzat ruse se Britania është përgjegjëse për shpërthimet në Nord Stream

29/10/2022 22:33

Londra tha se pretendimi rus sipas së cilit personeli i marinës britanike hodhi në erë gazsjellësit Nord Stream muajin e kaluar, ishte i rremë dhe i sajuar për të larguar vëmendjen nga dështimet ushtarake ruse në Ukrainë.

Ministria ruse e mbrojtjes Rusia nuk dha prova për të mbështetur pretendimin e saj sipas së cilit një aleat kryesor i NATO-s kishte sabotuar infrastrukturën kritike ruse në mes të krizës më të rëndë në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë që nga Lufta e Ftohtë.

Ministria ruse tha se “specialistët britanikë” po nga marina drejtuan sulmet ukrainas me dronë ndaj anijeve të flotës ruse të Detit të Zi në Krime më herët të shtunën, për të cilat ajo tha se ishin zmbrapsur kryesisht nga forcat ruse.

“Sipas informacioneve në dispozicion, përfaqësues të kësaj njësie të Marinës Britanike morën pjesë në planifikimin, sigurimin dhe zbatimin e një sulmi terrorist në Detin Baltik më 26 shtator të këtij viti – duke hedhur në erë gazsjellësit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2,” tha ministria.

Britania e mohoi pretendimin.

“Për të larguar vëmendjen nga pushtimi katastrofik i paligjshëm të Ukrainës, Ministria Ruse e Mbrojtjes po përdor pretendime të rreme në një shkallë të jashtëzakonshme,” tha ministria britanike e mbrojtjes.

“Kjo histori e sajuar është më shumë tregues për debatet brenda qeverisë ruse sesa për Perëndimin.”

Rusia e ka fajësuar edhe më parë Perëndimin për shpërthimet në gazsjellësit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 të ndërtuara nga Rusia në shtratin e Detit Baltik.

Por ajo nuk kishte dhënë më parë detaje specifike se kë konsideron përgjegjës për dëmtimin.

Suedia dhe Danimarka kanë arritur të dyja në përfundimin se katër rrjedhje në Nord Stream 1 dhe 2 janë shkaktuar nga shpërthime, por nuk kanë thënë se kush mund të jetë përgjegjës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka quajtur dëmtimin një akt sabotimi.

Suedia ka urdhëruar kryerjen e hetimeve shtesë për dëmtimin e shkaktuar, tha në një deklaratë të premten prokurori përgjegjës për çështjen./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA