Vuçiç “kthen pllakën” para NATO-s: Paqe, jo përshkallëzim i gjendjes në Kosovë!

28/10/2022 14:55

Një ditë pasi deklaroi se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM duke paralajmëruar “rezistencë” nëse pas 31 tetorit, Kosova u konfiskon targat dhe makinat, presidenti serb Aleksandër Vuçiç shfaqi një qasje mjaft më të zbutur në takimin që pati në Beograd, kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Tob Bauer.

Paqja dhe shtensionimi i tensioneve janë detyra kyçe për të gjithë, deklaroi Vuçiç. Përmes profilit të tij në Instagram, lideri serb theksoi se vendi i vet mbetet neutral në aspektin ushtarak, por do të vazhdojë të ketë “bashkëpunim korrekt” me NATO-n.

Takimi mes Vuçiçit dhe admiralit Bauer erdhi katër ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës.

Serbët në veri kryesisht përdorin targa KM (Mitrovica e Kosovës), të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Sipas Prishtinës zyrtare, nga 1 shtatori deri më 31 tetor është afati që qytetarët me makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS, Republika e Kosovës.

Besohet se në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç janë afër 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia, dhe sipas shifrave të fundit, vetëm 20 prej tyre janë riregjistruar me RKS.

Top Channel