“S’mund të raportojë një kriminel me uniformë”, Ardi Veliu raporton për buxhetin e AMP, opozita braktis mbledhjen te Siguria

28/10/2022 13:05

Dalja e drejtorit të Agjencisë së Mbikqyrjes policore, Ardi Veliu, para deputetëve për të prezantuar buxhetin e vitit 2023 u shoqërua me debate të forta dhe akuza.

Veliu u përball me deputetët e opozitës që e cilësuan drejtuesin e lartë të policisë si manipulator të disa ngjarjeve të rënda kriminale ku policia ishte përgjegjëse.

“Në rast se në këtë vend do kishte shtet dhe demokraci, nëse do kishte drejtësi do ishte pas hekurave. Është manipuluar ngjarja e Elbasanit dhe fakte dhe prova, vrasja e Klodian Rashës, u etiketua si armik, pa u bërë disa orë nga vrasja e Laer Kurtit vrapoi ky person që të manipulojë ngjarjen dhe ta shpallë kriminel të vdekurin, standardi juaj është që kriminelët ti bëni drejtor, krimit t’i jepni pushtet, ky nuk është standardi i shqiptarëve dhe opozitës dhe refuzojmë ta pranojmë një kriminel me uniformë të na raportojë në emër të ligjit, ai duhej të ishte viktimë e ligjit“, tha Flamur Noka.

Ndërsa deputeti Salianji vuri në pikëpyetje integritetin profesional të Ardi Veliut.

“Buxheti i shtetit, është diskutim që s’mund të bëhet me këto lloj paçavuresh të këtij lloji. Është analfabet, më keq se ç’ka pasur letrën e dorëheqjes. Njerëz që nuk dinë as shkrim e as këndim. Na sillni drejtues që nuk dinë të shkruajnë. Kur ju vjen një drejtues me këto letra pranoni të rrini me kokën ulur.
Për këtë arsye opozita braktisi mbledhjen ku u raportua për buxhetin e AMP ku ndër të tjera ishte parashikuar të investohej edhe në sisteme teknologjike për tu mbrojtur nga hakerat”.

Top Channel