Si një sport i veçantë dhe jo me ndonjë traditë të madhe në vendin tonë, skitë mbeten gjithmonë një sport elitar dhe deri diku i kushtueshëm për t’u zhvilluar.
Federata Shqiptare e Skive në mungesë të sasisë dhe cilësisë në vend, ka zgjedhur Italinë për të marrë një nga talentet më të mëdha të së ardhmes së tyre si Lara Colturin, vetëm 16 vjeç, por me rezultate shumë premtuese, kjo falë ndihmesës që i jep babai dhe nëna e saj që është Daniela Cekareli, medalje e artë për Italinë në lojërat dimërore të Salt Lake Cityt në vitin 2002.
“Ne mbetemi italiane, por tani jemi bërë edhe shqiptare. Në këtë mënyrë patëm mundësinë që të zgjidhnim midis dy shteteve, vendosëm të zgjidhnim Shqipërinë. Një bast në fakt i bukur për të dyja palët, për ne dhe për federatën shqiptare. Në jetë ndonjëherë kur vazhdon të ecësh në një rrugë normale duket si diçka monotone, ne na pëlqejnë sfidat dhe kjo është një sfidë shumë e bukur”, shprehet Daniela Ceccarelli.
Ajo do të jetë skiatorja e parë femër që do të përfaqësojë Shqipërinë në garat e nivelit të lartë. Nën flamurin shqiptar, Lara fitoi 6 gara gjatë këtij viti të Kupës së Amerikës së Jugut në Kili dhe Argjentinë për të rrëmbyer kreun e klasifikimit, duke mbledhur pikët që i nevojiteshin për të kaluar në Kupën e Botës “FIS”.
“E kemi bërë zgjedhjen së bashku si familje dhe na ka pëlqyer vërtet shumë pasi menjëherë na u hapën disa dyer dhe jam e sigurt që do të na hapen edhe shumë të tjera. Jemi shumë të kënaqura që jemi këtu siç e sheh edhe nëna ime e ka buzëqeshjen gjithmonë në fytyre”, thotë skiatorja Lara Colturi.
Megjithatë në Itali nuk është pritur edhe aq mirë nga specialistët e këtij sporti largimi i Larës për të përfaqësuar Shqipërinë.
“Ka qenë një moment në fillim kur kemi marrë shumë kritika, por në fund të fundit flasim për një sport individual kështu që me këtë zgjedhje i gjithë fokusi është tek Lara, tek sporti i saj dhe rezultatet e saj. Në nivel ndërkombëtarë për ne kjo zgjedhje ka qenë shumë e rëndësishme”, tha kampionia.
Lara nuk është sportistja e vetme e huaj e cila garon për Shqipërinë dhe kjo e ka një arsye sipas presidentit të KOKSH Fidel Ylli se përse disa kampion po afrohen në vendin tonë.
“Ne kemi një ndër ligjet më të mira që i siguron sportistëve punë, shkollën dhe gjithçka i duhet. Për këtë arsye Lara u largua nga Italia pasi ky ligj i yni është më i mirë se sa ai i Italisë apo shteteve të tjera”, tha Ylli.
Top Channel