Rusia po grumbullon trupat pranë lumit Dnjepër, Ukraina përgatitet për betejë të ashpër në Kherson

28/10/2022 10:18

Ushtria ukrainase tha se Rusia po grumbullon trupa në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër, teksa të dyja palët po bëhen gati për atë që mund të jetë beteja kyçe për qytetin jugor ukrainas të Khersonit.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha më 28 tetor se Moska ka dërguar deri në 1.000 ushtarë shtesë, që i ka mobilizuar së fundi, për të mbushur radhët pas humbjeve të pësuara nga kundërofensiva ukrainase në rajonin e Khersonit.

“Komanda e forcave pushtuese ruse, në mënyrë që të shmangë panikun në mesin e personelit të saj, po tenton me të gjitha mënyrat që të fshehë humbjet në mesin e ushtarëve të saj… Ka një forcim të grupeve të armikut në anën e djathtë të bregut të lumit në territorin e pushtuar përkohësisht të rajonit të Khersonit me mobilizimin e deri 1.000 ushtarëve”, tha Shtabi i Përgjithshëm përmes një deklarate.

Në deklaratë u tha se civilët po vazhdojnë të zhvendosen nga qyteti i Khersonit nga ana e djathtë e bregut të lumit, në atë të majtë.

Ukraina ka vazhduar ofensivën e saj për rimarrjen e rajonit të Khersonit dhe kryeqytetit rajonal me po të njëjtin emër, që forcat ruse pushtuan në ditët e para të luftës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Forcat ukrainase kanë rrethuar Khersonin nga perëndimi dhe po sulmojnë forcat ruse që gjenden në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Megjithatë, zyrtarët thanë se moti i keq dhe terreni i vështirë kanë ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase në Kherson.

Khersoni, që është një prej katër provincave të pushtuara pjesërisht që Rusia pretendon se i ka aneksuar, është rruga e vetme tokësore që çon drejt Gadishullit të Krimesë të cilin Rusia e aneksoi paligjshëm më 2014.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Kherson thanë më 27 tetor se mbi 70.000 persona janë larguar nga qyteti, përfshirë anëtarë të administratës rajonale të instaluar nga Moska.

Top Channel