Pas frikës së mbolli me lëvizjet e tij, Vladimir Putini deklaroi së fundi se nuk ka për qëllim të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, edhe pse lideri rus e cilësoi konfliktin në vendin fqoij  si pjesë e përpjekjeve të Perëndimit për të siguruar dominimin e tij global.

Në komentet e bëra gjatë një konferencë të ekspertëve ndërkombëtarë të politikës së jashtme, shefi i Kremlinit e quajti të pakuptimtë përdorimin e armëve të tilla.

“Ne nuk shohim të ketë ndonjë nevojë për këtë.  Nuk ka asnjë kuptim, as në rrafshin politik e as në atë ushtarak”, tha Putin.

Paralajmërimi i mëparshëm për gatishmërinë e tij për të përdorur “të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë” nuk përbënte kërcënim për goditje bërthamore sipas presidentit rus, por ishte thjesht një përgjigje ndaj deklaratave të Perëndimit rreth përdorimit të mundshëm të armëve atomike. Ai përmendi veçanërisht ish kryeministren britanike Liz Truss duke thënë se në gusht ajo kishte theksuar se ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore nëse do të bëhej kryeministre e Britanisë, një koment që ai tha se ishte shqetësues për Kremlinin.

“Si thoni ju, çfarë duhej të mendonim?” u shpreh Putin. “E pamë këtë si një qëndrim të koordinuar, një përpjekje për të na shantazhuar”. Pa ofruar prova, udhëheqësi rus përsëriti pretendimin e Moskës se Ukraina po planifikonte një sulm me bombë bërthamore, për të cilin do të përpiqej ta fajësonte Rusinë. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë hedhur poshtë me forcë pretendimin duke e quajtur atë një “gënjeshtër të hapur”.

Ukraina argumentoi se Rusia mund të jetë duke bërë pretendimin e pabazuar për ta shfrytëzuar si justifikim për një sulm të mundshëm bërthamor nga ana e saj.

 

Top Channel