Mot jashtëzakonisht i ngrohtë në Francë dhe Spanjë, qytetarët vijojnë plazhin edhe në fund të tetorit

28/10/2022 16:49

Disa pjesë të Francës dhe Spanjës po shohin një fund tetor jashtëzakonisht të ngrohtë.

Temperaturat më të larta se normalja kanë sjellë plazhe të ngrohta, ku në Rivierën Franceze është shënuar 20-21 gradë Celsius.

“Ky vit është i jashtëzakonshëm.Në fund të tetorit ftohet normalisht dhe nga Dita e Gjithë Shenjtorëve [1 Nëntor] zakonisht bie shi”, tha Rose-Marie Martini për agjencinë e lajmeve Reuters.

Miliona persona janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të karburantit në Evropë, ndërsa moti i ngrohtë do të sjellë pakësim të ndezjes së ngrohëseve.

Megjithatë, kjo situatë mund të jetë një shenjë e ndryshimit të motit pas një vere me nxehtësi ekstreme në Evropë, me zjarre të egra dhe thatësira.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta e intensive dhe zgjasin më shumë, për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.

OKB-ja ka paralajmëruar se nuk ka “një rrugë të besueshme” për të mbajtur rritjen e temperaturave globale nën pragun kryesor prej 1.5 gradë Celsius.

Franca ka regjistruar temperatura prej pesë deri në gjashtë gradë mbi normalen në 10 ditët e fundit.

Top Channel