Kancelari scholz viziton Greqinë: Marrëdhëniet Turqi- Greqi të zgjidhen me dialog

28/10/2022 12:01

Kryeministri grek Mitsotakis është shprehur i kënaqur pasi atë që ka kërkuar ai dhe qeveria e tij, nga vizita e kancelarit gjerman Scholz në Athinë, d.m.th një përgjigje të pastër sa u përket marrëdhënieve grekoturke, e kanë marrë.

“Mesdheu është një zonë plot potencial, veçanërisht ekonomikisht dhe dy fqinjë, për më tepër aleatë të NATO-s, duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të mirën e popullatës së tyre dhe jo të vënë në dyshim sovranitetin e njëri tjetrit- ka thënë lideri gjerman në konferencën e përbashkët për shtyp.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Greqisë dhe Turqisë, janë të rëndësishme jo vetëm për të dy vendet, por për të gjithë Evropën dhe aleancën transatlantike. Nuk duhet të ndodhë që partnerët e NATO-s të vënë në dyshim sovranitetin e njëri-tjetrit dhe të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe në bazë të ligjit ndërkombëtar”, tha kancelari Scholz.

Nga ana e tij kreu i qeverisë greke kritikoi retorikën agresive të Turqisë duke thënë se lufta e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainë nuk lë vend për më shumë tensione në Evropë dhe ka deklaruar se është gjithmonë gati për të ofruar një dorë miqësie, për të shuar tensionet , për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.

“Fqinjët tanë dhe të gjithë aleatët tanë e dinë se ishujt grekë nuk kërcënojnë askënd. Dëshiroj ta mbyll me një urim. Dëshira ime është që edhe me vonesë fqinjët tanë të zgjedhin rrugën e zbutjes së tensionit, të ligjshmërisë, të bashkëjetesës paqësore pa shpërthime retorike, por me veprime konstruktive”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.

Por opozita ka kritikuar kryeministrin grek , pas deklaratave të përbashkëta dhe sqarimit të tij , se tanket gjermane Marder që Athina po merr nga Berlini , do ti çojë në kufirin tokësor me Turqinë në Evro ,dhe jo në ishujt grekë, nga u morën tanket e vjetër të ushtrisë greke që u dërguan në Ukrainë, duke plotësuar kështu, sipas opozitës, një parakusht të Ankarasë për demilitarizimin e ishujve.

Mitsotakis dhe Scholz kanë folur gjerësisht për krizën në Ukrainë duke u pozicionuar së bashku me vendet e tjera të BE se nuk mund të tolerojnë, pas 80 vjetësh, një luftë të re në zemër të Europës dhe duhet të anulojnë planin e Moskës për të krijuar destabilitet në shoqëritë perëndimore, me krizën energjitike dhe në veçanti me çmimet e gazit.

Kancelari gjerman që nisi vizitën e tij të parë në Greqi, duke parë Akropolin i shoqëruar nga Mitsotakis ka theksuar “kushtet e shkëlqyera ekonomike” në vend duke vënë në dukje një dinamikë “të prekshme”  në rritje ,ndërsa në takimin mes tyre janë diskutuar edhe çështjet e emigracionit dhe ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

Top Channel