Kalimi i emigrantëve të paligjshëm me gomone/ Sunak bisedon me Macron, premtohet më shumë bashkëpunim mes vendeve

28/10/2022 19:08

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë premtuar se do të rrisin bashkëpunimin për të trajtuar kalimet e emigrantëve në Kanalin Anglez.

Downing Street tha se Rishi Sunak mbajti telefonatën e tij të parë, që kur u bë kryeministër, me Presidentin Emmanuel Macron.

Gjatë diskutimit këtë të premte ata kanë vënë në fokus problematikën kryesore me emigrantët që vijnë me gomone në të dy shtetet fqinje.

Downing Street ka refuzuar të japë detaje mbi ndonjë plan të ardhshëm ose kur do të bëhet një njoftim.

Në vitin 2021, Mbretëria e Bashkuar ra dakord t’i paguante Francës 54 milionë funte për të rritur patrullimet përgjatë bregdetit verior të Francës.

Një raport, në The Times, thotë se kryeministri britanik dëshiron të mbyllë një marrëveshje të re me Francën, duke përfshirë objektivat për numrin e anijeve të ndaluara.

Në fokus të bisedës nuk kanë qenë vetëm emigrantët e paligjshëm, por edhe ndryshimi i klimës, lufta në Ukrainë dhe kriza energjitike.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë përplasur vitet e fundit për të drejtat e peshkimit pas Brexit, paktin e sigurisë AUKUS dhe migrimin.

Në nëntor 2021, 27 njerëz humbën jetën në tragjedinë më të keqe të regjistruar të emigrantëve në Kanalin e La Manshit.

Sipas BBC ka spekulime se Sunak mund të krijojë një marrëdhënie më pozitive me presidentin francez sesa dy paraardhësit e tij.

Pritet që vitin e ardhshëm të zhvillohet një samit midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel