Ursula von der Leyen në Kosovë shprehet për çështjen e targave: Rregullat duhet të respektohen!

27/10/2022 10:37

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka mbërritur në Prishtinë nga Maqedonia e Veriut pas takimeve që ka zhvilluar atje në kuadër te turneut të vizitave në Ballkanin Perëndimor.

Pas takimit, von der Leyen u shpreh për targat, teksa kanë mbetur edhe disa ditë deri në përfundimin e afatit të caktuar nga qeveria për konvertimin e targave nga qytetarët serbë.

“Mendoj që është e shumë e rëndësishme që rregullat duhet të respektohen. Nëse ka tranzicion duhet të jetë i lehtë dhe gjithëpërfshirëse, por e këto duhet të zgjidhen në dialog”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tregoi për kërcënimet që kanë marrë qytetarët që kanë konvertuar targat.

“Qytetarët po i largojnë targat e Millosheviçit dhe po kthehen në ato legale të Republikës se Kosovës. Si rezultat i kësaj po ju digjen shtëpitë, veturat e rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Strukturat ilegale po veprojnë dhe çështja e targave është sundim i ligjit. Lufta jonë është kundër bandave, është për sundim të ligjit”.

Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas Kosovës, ajo do të vizitojë këtë pasdite Shqipërinë dhe në ditët në vijim Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.

 

Top Channel