Pentagoni: Asnjë tregues se provat bërthamore ruse janë aktivitet i kamufluar për dislokim real

27/10/2022 23:00

Shtetet e Bashkuara thonë se nuk kanë vënë re ndonjë sinjal që tregon se stërvitjet vjetore të forcave bërthamore të Rusisë mund të jenë një “aktivitet i kamufluar” me synimin vendosjen në gjendje gatishmërie të këtyre armëve, tha të enjten Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Presidenti rus Vladimir Putin vëzhgoi të mërkurën një pjesë të stërvitjeve të ashtuquajtura “Grom”, të forcës strategjike bërthamore të Rusisë, gjatë të cilave Moska tha se u kryen prova me raketa balistike ndërkontinentale “Yars”, nëndetëseve dhe aeroplanëve strategjikë bombardues “Tupolev”.

Stërvitjet shihen si një sfidë e mundshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Presidenti rus Putin ka shkaktuar paqartësi lidhur me qëllimet e tij, pasi kërcënoi me përdorim të armëve bërthamore për të mbrojtur Rusinë, në kuadër të sulmit të tij kundër Ukrainës.

Megjithatë, zyrtarët perëndimorë shprehin besimin në aftësitë e vendeve të tyre për të zbuluar nëse Rusia mund të ndërmarrë veprime konkrete për përdorimin e një arme të tillë.

Sekretari Austin nuk u shpreh i shqetësuar, në komentet e shkurtra për gazetarët lidhur me këtë çështje.

“Nuk kemi parë asgjë që do të na bënte të besojmë, deri tani, se ky është një lloj aktiviteti i kamufluar”, tha ai.

Ndërsa forcat ukrainase po përparojnë në provincën e Khersonit të pushtuar nga Rusia, gjë që do të shënonte një disfatë të madhe për Moskën, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu telefonoi zotin Austin të dielën dhe akuzoi Kievin se po planifikon kryerjen e një sulmi me bombë me përmbajtje radioaktive.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se këto akuza janë një tregues se Moska është ajo që po planifikon një sulm të tillë.

Ndërkohë vijojnë të qarkullojnë pikëpyetje nëse Moska mund të përdorë një armë taktike bërthamore.

Zoti Austin tha se nuk beson se Vladimir Putini ka vendosur të përdorë një armë të tillë dhe nuk pranoi të japë hollësi për përgjigjen e mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj nëse Moska ndërmerr një sulm të tillë.

“Ne kemi qenë shumë të qartë që në fillim, se do të shihni një përgjigje domethënëse nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Komentet e zotit Austin bëhen në të njëjtën ditë me publikimin e disa dokumenteve nga Pentagoni mbi strategjinë e re bërthamore, ku ndër të tjera thuhet se SHBA do të ndalë prodhimin e raketave bërthamore me vetëdrejtim që lëshohen nga deti.

I pyetur se çfarë mesazhi çon ky vendim në Moskë dhe Pekin, zoti Austin u tha gazetarëve se vendi ka kapacitete të mjaftueshme në inventarin bërthamor.

“Nuk mendoj se kjo i dërgon ndonjë mesazh Putinit”, tha zoti Austin ndërsa shtoi se “ai e di se cilat janë kapacitetet tona”.

Top Channel