Tetori nuk është vetëm muaj ndërgjegjësimi për kontrolle, por edhe sesi mund të përballen personat e prekur me kancerin e gjirit.

Gratë e diagnostikuara me kancer kanë dalë sot me disa kërkesa ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, për t’ua bërë më të lehtë përballimin e sëmundjes së rëndë.

Ato zhvilluan sot një takim me praninë e katër deputeteve të parlamentit dhe zv.ministren e Shëndetësisë Mirsa Rakacolli, ku parashtruan një sërë kërkesash, duke nisur nga krimi i një regjistri të posaçëm i emrave të grave të prekura.

Për të përballuar sfidat e sëmundjes, ato kërkuan një fond të posaçëm, si dhe mundësimin e parukeve, protezave, fizioterapive apo ndihmë psikologjike për ta dhe familjarët e tyre.

Ato kërkuan lehtësia edhe në transport, rimbursim të tarifave për çerdhet apo kopshteve të fëmijëve. Një tjetër trajtim i rëndësishëm, është që vajzat dhe gratë të mos privohen nga të bërit nënë, duke mundësuar ngrirjen e vëzëve.

Ato janë shprehur se tarifat në shërbimet private janë të papërballueshme, ndërsa zv.ministrja Rakacolli u garantoi atyre se ketë vit në listën e barnave të rimbursueshme do të përfshihen edhe barnat për kancerin.

Propozimet e plota:

Të hartëzohen dhe të kuptohen mirë të gjitha kostot që përballen gratë me kancer sot. Duhen marrë më shumë të dhëna për një numër grash në mënyrë që të krijohet një bazë të dhënash statistikore që të na tregojë cfarë kostosh kanë pacientet dhe për cfarë. Të dhënat do të na tregojnë edhe për profilet specifike të grave si dhe për nevojat dhe mundësitë e tyre.

Të hartëzohen të gjitha masat mbështetëse dhe kostot që mbulon shteti qoftë nëpërmjet shërbimeve shëndetësore, qoftë nëpërmjet sigurimeve shoqërore. Kjo është shumë e rëndësishme, hartëzimi i masave jo vetëm do të ndihmojë gratë për të aksesuar shërbimet dhe mbështetjen që u jep ligji, por gjithashtu do të na ndihmojë të kostojmë në mënyrë të qartë barrën për buxhetin e shtetit dhe barrën për buxhetin e grave.

Të krijohet mënyra e komunikimit më të mirë dhe më të qartë për pacientet; informacioni mund të jepet në spitale, mund të jepet nga shoqëria civile dhe organizata si YËCA, por edhe mund të krijohet një faqe interneti e vecantë.

Të propozohen masat për mbështetje të cilat drejtohen në dy nivele: për të rritur dhe forcuar shërbimet shëndetësore, apo mbështetëse, por edhe mbështetje e drejtpërdrejtë për pacientet.

Të shihen mënyrat e investimit për të futur trajtime të reja bashkëkohore të cilat kanë provuar që rrisin shanset e mbijetesës, si dhe më shumë pajisje për diagnostifikim dhe terapi. Investimet në trajtim u japin më shumë opsione grave dhe bëjnë që ato të mos i marrin privatisht. Investimet në spitalet rajonale do të rrisin edhe përdorimin e tyre nga pacientet, cka jo vetëm ndihmon gratë të marrin shërbime aty ku jetojnë dhe të harxhojnë më pak, por në fakt rrisin edhe eficencën e investimeve të bëra. Gjithashtu trajtime më të mira do të thotë, gra me potencial më të lartë për të punuar dhe prodhuar për ekonominë vendase.

Të shikohet mundësia për të mbuluar në mënyrë të plotë ose të pjeshme edhe shërbime të tjera shëndetësore moderne, si për shembull ruajtja e vezëve për femrat në moshë fertile për t’u dhënë shanse të bëjnë fëmijë më vonë, apo protezat e gjirit. Shërbime të tilla ndihmojnë gratë të kenë më shumë motivim për të jetuar jetën në përmasa të plota.

Të shtohen investimet për shërbime mbështetëse pranë shërbimit shëndetësor: të shtohet numri i punonjësve socialë, apo numri i psikologëve në spitalin onkologjik, apo në shërbimin e mjekut në shtëpi. Kjo jo vetëm do të ndihmojë në uljen e barrës psikologjike për pacientet dhe familjet e tyre, por gjithashtu do të kursejë edhe kohën e mjekëve.

Të kostohen nevojat e tjera që shkakton sëmundja por jo të lidhura me shëndetësinë: transport, ushqim, ilace për menaxhimin e dhimbjes, fizioterapi, etj. Duke u bazuar në legjislacionin përkatës, të shikohet mundësia që shpenzimet të mbulohen edhe nga burime të tjera, për shembull bashkia të paguajë shërbimet e transportit apo fizioterapisë për gratë me të ardhura të ulëta.

Të shikohet mundësia që punonjësit socialë të bashkisë të vlerësojnë gjendjen socio ekonomike të pacienteve me kancer gjiri. Ideale do të ishte të kishte një menaxhim rasti të përbashkët midis spitalit onkologjik (punonjësit social aty) dhe bashkisë. Gjiithashtu bashkia duhet të fusë në listën e shërbimeve sociale edhe mbështetje për grupet e mbështetjes.

Të shikohet mundësia që të ketë përjashtime nga taksa ose tarifa për gratë me të ardhura të ulëta (për shembull taksa e banesës, apo pagesa e kopshtit dhe cerdhet për gratë me fëmijë)

Të bëhet një rishikim i legjislacionit për masat aktive të punësimit për personat me paaftësi, apo për të rinjtë dhe të hartohet një politikë për masa aktive të punësimit të pacienteve sipas fazave të sëmundjes.

Të shikohen mundësitë e hartëzimit të partnerëve dhe krijimit të një fondi mbështetës për grate.

Top Channel