Kopshti zoologjik në izolim pas arratisjes së kobrës mbretërore nga kafazi në Stokholm (fotot)

27/10/2022 16:00

Një gjarpër vrasës ka bërë që i gjithë kopshti zoologjik të vendoset në izolim pas një arratisjeje spektakolare nga kafazi tij.

Kobra gjigante e quajtur Sir Hiss, po njihet tashmë me emrin e prestigjatorit Houdini pas tentativës guximtare për liri, duke u zhdukur nga hapësira e saj në kopshtin zoologjik Skansen në kryeqytetin suedez Stockholm.

Zvarraniku ishte vendosur në kopshtin zoologjik vetëm dy ditë para se të zhdukej në fundjavë, me sa duket nga vrima e një llampe tokësore e kopshtit.

Zyrtarët kanë mbyllur tashmë një pjesë të madhe të kopshtit zoologjik teksa stafi vijon të kërkojnë për kafshën helmuese në liri të përkohshme.

Punonjësit kanë shpërndarë miell për t’u përpjekur të zbulojnë gjurmët e kafshës së arratisur dhe kanë vendosur “gracka”, pa shpjeguar se të çfarë lloji.

Disa prej tyre thonin se zvarraniku mund të jetë fshehur në tavanin e kopshtit zoologjik.

Drejtori i kopshtit Jonas Wahlstrom, tha se impjanti ka eksperiencë pasi mban kobra mbretërore prej 15 vitesh, edhe pse të sapoardhurit iu deshën vetëm dy ditë për të gjetur rrugedaljen.

Wahlstrom shpjegonte se stafi ka zevendësuar tashmë llampën tokësore nga e cila u largua kafsha: “Llampa e vjetër ishte aq e nxehtë sa asnjë gjarpër nuk preferonte t’i afrohej, por tani që nuk është shumë nxehtë, kobra jonë e re kishte hyrë mes llampës dhe hapësirës se kavove.”

Wahlstrom shtonte se nuk ka rrezik që ai të largohet jashtë kopshtit.

“Nëse ai del jashtë në këtë të ftohtë do të binte menjëherë në gjumë, si kafshë gjakftohtë që është”.

Drejtori shtonte gjithashtu se kobrat janë kafshë të qeta dhe nuk sulmojnë pa shkak.

Kobrat mbretërore e kanë origjinën nga Azia jugore e juglindore. Ata janë gjarpërinjtë më të gjatë helmues të botës dhe arrijnë deri në 6 metra.

Ata gjuajnë kryesisht gjarpërinj të tjerë por kafshimi i tyre mund të jetë fatal për njeriun.

Top Channel