BE, 75 mln euro Kosovës/ Ndihma urgjente për krizën e energjisë elektrike, për bizneset dhe të varfërit

27/10/2022 14:42

Si pjesë e vizitave në Ballkanin Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë të enjte ndaloi në Prishtinë.

Fillimisht takoi Presidenten e Kosovës e më pas në një konferencë të përbashkët, njoftoi se Kosova do mbështetet financiarisht me 75 milionë euro në përballjen me krizën energjetike që ka kapluar gjithë Evropën.

“Tani për tani mund të keni nevojë për mbështetje të menjëhershme financiare buxhetore kështu që ne do të ju japim një grant prej 75 milionë euro për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare të cenueshme”.

Von der Leyen ka ritheksuar edhe mbështetjen për liberalizim të vizave dhe se janë plotësuar të gjitha kushtet, duke shtuar se kriteri i ri ETIAS është i ndarë si proces por i vlefshëm për të gjithë.
Presidentja e Komisionit Evropian ka folur edhe për çështjen e targave, por duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi.

“Rregullat janë të qarta duhet të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë tranzitore, tranzicioni duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet”.

Për të njëjtën çështje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se çështja e targave është “luftë” ndaj bandave.

“Ajo pakicë që akoma nuk i ka konvertuar është për shkak të kërcënimeve te vazhdueshme. Lufta jonë është luftë kundër bandave”.

Derisa po mbahej ky takim, Ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç, njëherësh edhe Kryetari i Listës Serbe, pas diskutimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç paralajmëroi bllokim të rrugëve në veri nëse ndalohet qarkullimi me targat KM.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të vazhduar pastaj vizitën në Tiranë.

Top Channel