​Zv. Kryeministrit Bislimit nuk i lejohet hyrja në Beograd

27/10/2022 16:38

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është ndaluar vizita në Beograd.

Rreth 100 kilometra para mbërritjes, Bislimi është detyruar të kthehet për në Kosovë. Bëhet e ditur se ai është kthyer pas “për shkaqe sigurie”.

Zëvendëskryeministri Bislimi do të merrte pjesë në një forum dhe konferencë për tema që kanë të bëjnë me të dyja shtetet.

“Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë, na ka ndalë dhe na thanë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet”, është shprehur Bislimi në një deklaratë të shkurtë për media.

Bislimi ishte parashikuar të merrte pjesë në Konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”. Diskutimi ishte parashikuar të niste në orën 17:00 dhe ai do të mbante deklaratë, sipas Kosovapress.

Top Channel