Vendimet e qeverisë/ Miratohet nga Këshilli i Ministrave paketa fiskale

26/10/2022 19:12

Këshilli i Ministrave ka miratuar paketën fiskale këtë të mërkurë.

Kriza energjetike në vend ka ndikuar edhe në ndryshimet që pritet të vijnë vitin e ardhshëm në paketën fiskale.

Qeveria pritet të lehtësojë barrën mbi produktet energjetike. Nga tatimi mbi vlerën e shtuar qeveria propozon që të përjashtohen blerja e druve të zjarrit, për të lehtësuar sadopak barrën mbi familjet shqiptare këtë dimër.

Në këtë kategori pritet të përjashtohen edhe importet dhe tregtimi i energjisë në bursë si dhe donacionet që bëhen për shtetin shqiptar.

Tek akciza, qeveria propozon unifikimin e saj për birrën pavarësisht sasisë së prodhimi që shkon në 710 lekë/hl. Gjithashtu nga akciza pritet të përjashtohen edhe akumulatorët, të cilat janë bateri që përdoren për panelet diellore dhe makinat elektrike.

Njoftimi i plotë:

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas shkronjës “p”, të nenit 51, “Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm”, shtohet shkronja “q”, me këtë përmbajtje:

“q) Furnizimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.

Neni 2

Pas pikës 44, të nenit 56, “Përjashtime të veçanta në import”, shtohen pikat 45 dhe 46, me këtë përmbajtje:

“45. Mallrat e destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë / Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.
Kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
46. Importimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.

Neni 3

Pas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 60, “Furnizime të përngjashme me eksportet”, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:

“c) Furnizimi i mallrave / shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë / Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.”.

Neni 4

Në fund të pikës 2, të nenit 77, “Rimbursimi i TVSH-së”, shtohen fjalët “… me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 56, pika 1, dhe 60, pika 1, shkronja “c”, të këtij ligji.”.

Nen 5

Pas nenit 155, “Mbajtja e llogarive”, shtohet seksioni 6, “Regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike”, përfshirë nenet 155/1, 155/2 dhe 155/3, me këtë përmbajtje:

“SEKSIONI 6
REGJIMI I VEÇANTË PËR BURSËN SHQIPTARE TË ENERGJISË ELEKTRIKE

Neni 155/1
Përkufizime

Për qëllime të këtij seksioni, me termat e mëposhtëm kuptohet:

a) “Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike” është struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar ndërmjet platformës së tregut për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, në bazë të ditës në avancë dhe/ose brenda së njëjtës ditë, si dhe për të gjitha aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut.

b) “Treg energjie elektrike” një sistem ku kryhen shitje dhe blerje efektive, përfshirë edhe derivativët e energjisë elektrike, nëpërmjet kërkesave dhe ofertave, të paraqitura në periudha afatgjata dhe afatshkurtra.

c) “Derivativ elektrik” është një instrument financiar që mund të përdoret nga pjesëmarrësit e tregut të energjisë elektrike si mjet sigurie ndaj luhatjeve të mundshme të çmimit të energjisë elektrike në treg.

d) “Pjesëmarrës i tregut të energjisë elektrike” është një person juridik, i regjistruar si pjesëtar i tregut të energjisë elektrike, që përfshin prodhuesit, tregtarët, furnizuesit, klientët, Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, sistemet e mbyllura të shpërndarjes dhe operatorin e tregut. Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes janë pjesëmarrës të tregut të energjisë elektrike vetëm për qëllim të sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjet, balancimin dhe shërbimet ndihmëse.”.

Neni 155/2
Përjashtimi nga tatimi

Përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar importimi dhe furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike.

Neni 155/3
Pagesa e TVSH-së

1. Në rastin e furnizimit të energjisë elektrike të tregtuar nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur shpallen rezultatet në tregjet e ankandeve të ditës në avancë ose brenda së njëjtës ditë ose në momentin kur urdhërporositë përputhen në rastin e tregut të vazhdueshëm brenda së njëjtës ditë.

2. TVSH-ja është e pagueshme nga personi i tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike në përputhje me parashikimet e këtij seksioni dhe përcaktimet e nenit 21. Për efekt të përllogaritjes së TVSH-së blerësi i energjisë elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, kryen autongarkesën (reverse-charge) e TVSH-së në cilësinë e personit përgjegjës për pagesën e TVSH-së.
Procedurat për zbatimin e kësaj pike dhe fillimi i aplikimit të kësaj skeme të veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga 1 janari 2023.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

Top Channel