Kompania e afërt me Facebook është zbuluar nga autoritetet turke se përdor teknika të padrejta për dominimin e tregut me të dhënat private të përdoruesve.
Autoriteti i mbikëqyrjes së kompeticionit në Turqi ka vendosur një gjobë prej $18.63 milionë ndaj kompanisë së Facebook, Meta pasi zbuloi se kombinonte të dhënat e përdoruesve të Facebook, WhatsApp, e Instagram për t’i dhënë Meta një avantazh të padrejtë në reklamimet e shënjestruara.
Gjoba u vendos javën që shkoi por u njoftua në një deklaratë të sotme. Duke kombinuar të dhënat personale nga të gjitha degët në varësi të saj, thuhet në deklaratë, Meta “dominon” tregun e reklamimeve online “duke krijuar barriera hyrjeje” për konkurrentët e saj.
Hetimi kishte nisur prej vitit 2021 kur WhatsApp i kërkoi përdoruesve të tij të lejonte kalimin e të dhënave te Facebook. Por edhe para kësaj Facebook ishte paditur nga Komisioni Tregtar në SHBA për blerjen e WhatsApp si dhe po hetohej në BE e Britani për masën e madhe të të dhënave personale që përdorte për konkurrencë të padrejtë.
Gjoba turke prej 346.72 milion lira, ose $18.63 milionë, u caktua bazuar në të ardhurat e Meta në 2021.
Rregullatori tha se kishte urdhëruar Meta të hartonte raporte të përvitshme që sigurojnë konkurrencë të lirë në pesë vitet e ardhshme.
Meta ka 60 ditë për të apeluar gjobën tha një zëdhënës i kompanisë për Reuters duke shtuar se do të shfrytëzohen të gjitha opsionet.
Meta raportoi fitime prej $46.7 miliardë në 2021, kështu që nuk do të kishte problem një gjobë prej $18.63 milionë.
Por kompania ka deklaruar një rënie të fitimeve prej 1% në tre muajt e fundit dhe një rënie 36% të fitimeve nga një vit më parë.
Top Channel