Vdes njeriu më i pisët në botë disa muaj pas dushit të parë, në moshën 94 vjeçare (fotot)

25/10/2022 16:38

Një eremit në Iran i njohur si “njeriu më i pisët në botë” pasi nuk ishte larë prej më shumë se gjysmë shekulli, ka vdekur në moshën e pabesueshme plot 94 vjeçare, raportonin mediat shtetërore.

Agjencia vendase Irna shkruante se ai që njihej si “Amou Haji”, nje emër dashamirës për njerëzit e moshuar, vdiq të dielën në fshatin Dejgah në provincën jugore të Fars.

Haji ishte i mbuluar nga bloza dhe jetonte në një kasolle të improvizuar, ndërsa raportohej nga mediat se nuk ishte larë me ujë e sapun prej rreth 60 vitesh. Fshatarët thonin se ai kishte pësuar disa “tronditje emocionale në rininë e tij” që e kishin bërë të refuzonte të lahej.

Në vitin 2014, e përditshmja Tehran Times shkruante se Haji hante kafshë të vrara nga makinat, tymoste një pipë me barishte ose jashtëqitje kafshësh, pasi besonte se pastërtia do ta sëmurte. Në disa foto ai shihet duke tymosur disa cigare njëherësh . Dhe në fakt teoria e tij duket se ka funksionuar pasi jetoi deri në moshën e lakmuar prej 94 vitesh.

Por disa muaj më parë, banorët vendas e kishin bindur të lahej, raportonte rrjeti Irna, dhe pak muaj me vone vdiq.

Pas vdekjes së Haji, rekordi jo-zyrtar i mbajtur prej tij për një njeri që nuk është larë shumicën e jetës, i kalon tashmë një indiani.

Në 2009 e përditshmja indiane Hindustan Times raportonte se Kailash “Kalau” Singh, nga një fshat pranë Varanasi, nuk ishte larë prej 30 në një tentativë shpirtërore për të “ndaluar të gjitha problemet me të cilat përballet kombi i tij”.

Ai refuzonte ujin në këmbim të asaj që quante “banjë zjarri”. “Çdo mbrëmje kur fshatarët mblidheshin, Kalau ndizte një zjarr, tymoste marijuana dhe qëndronte në një këmbë duke iu lutur zotit Shiva,” shkruan gazeta.

Singh raportohet se kishte thënë: “Është njëlloj si të përdorësh ujin për një banjë. Banja e zjarrit vret të gjitha mikrobet dhe infeksionet në trup”.

FOTO GALERI
1/2
Një eremit në Iran i njohur si “njeriu më i pisët në botë” pasi nuk ishte larë prej më shumë se gjysmë shekulli, ka vdekur

Top Channel