Mbikëqyrja bërthamore e OKB-së, IAEA ka deklaruar se inspektorët e saj kanë vizituar rregullisht dy vende në Ukrainë.
Kjo gjë ka ardhur si pasojë e pretendimeve ruse se Kievi po përgatitet për një bombë të papritur.
Drejtori i përgjithshëm, Rafael Grossi tha se Inspektorët do të kthehen në ditët në vijim pas një kërkese ukrainase.
Deri më tani Rusia nuk ka ofruar asnjë provë për pretendimet e saj, të cilat NATO i hedh poshtë.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi se kjo nënkuptonte se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji.
Bombat për të cilat bëhet fjalë përmbajnë material radioaktiv, si uraniumi, i cili shpërndahet në ajër kur shpërthen eksplozivi i tij konvencional.
Ata nuk kanë nevojë të përmbajnë material radioaktiv shumë të rafinuar, siç përdoret në një bombë bërthamore, gjë që i bën më të lirë dhe më të lehtë për t’u manovruar.
IAEA [Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike] deklaroi se kishte marrë një ftesë nga qeveria ukrainase për të kryer “aktivitete verifikimi” në dy vende të paspecifikuara, duke shtuar se inspektorët e agjencisë i kanë vizituar të dy vendet rregullisht.
BBC shkruan se sipas Gross, IAEA inspektoi një nga këto vende një muaj më parë dhe të gjitha gjetjet ishin në përputhje me deklaratat mbrojtëse të Ukrainës.
“Aty nuk u gjet asnjë aktivitet apo material bërthamor i padeklaruar“, tha ai.
Moska pritet të përsërisë pretendimin gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfaqësuesi rus në këshill Vassily Nebenzia tha se vendi i tij do ta konsideronte përdorimin e bombës së pistë nga regjimi i Kievit si një akt terrorizmi bërthamor.
Pretendimet e Moskës, të bëra nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, janë hedhur poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.
Në një deklaratë të përbashkët këtë të hënë, ministrat e jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës dënuan pretendimet si dhe i konsideruan të rreme.
Në lidhje me këtë situatë Zelensky tha:
“Nëse Rusia telefonon dhe thotë se Ukraina gjoja po përgatit diçka, kjo do të thotë një gjë: Rusia tashmë e ka përgatitur të gjithë këtë”.
Top Channel