Lehtësi fiskale që “vrasin” lopët/ Çfarë fshihet pas heqjes së taksës për hirrën, përdoret në vend të qumështit

25/10/2022 15:05

Mbyllja e stallave të gjësë së gjallë për konsumatorin shqiptar solli në tryezë bulmet të shtrenjtë.

Mungesa e subvencioneve në blegtori drejtoi fabrikat e qumështit drejt tregjeve të huaja, sepse një litër qumësht nga Serbia kushtonte më lirë se një litër qumësht I blerë tek fermat e vendit. Blerina Çela, thotë se 40 krerët e gjedhëve nuk sjellë asnjëherë fitime, por vetëm humbje, kjo solli dhe largimin e kryefamiljarit drejt Gjermanisë.

“Ne kemi 12 vjet që merremi me këtë punë. Kjo stallë për mua është sakrificë, kostot janë të lartë në punë jam gjithë ditën e në fund nuk arrij dot t’i realizoj fëmijës dëshirën më të vogël.Mua më dhimbset i gjithë malli se e kam vënë vet. Çmimi i qumështit 60 lekë/litër kur një bidon merret 100 Lekë. Dhe si mund të arrij unë kur kjo do të hajë, unë nuk arrij të laj korrentin me këtë punë. Nuk qaj mundin e punës, por sepse unë nuk shoh asnjë rreze drite”.

Por lufta në Ukrainë rriti edhe qumështin e importit, për këtë arsye fabrikat e bulmetit kanë gjetur një tjetër mënyrë se si të ulin kostot e prodhimit. Kësaj herë bulmeti nuk prodhohen më vetëm nga qumështi por edhe nga shtesa si hirra e qumështit apo kremi i qumështit. Një propozim ky dukshëm klientelist që nuk merr parasysh prodhimin vendas të qumështit, dhe rritjen e kopeve të kafshëve, por vetëm interesat e industrisë. Qeveria parashikon që këto dy lëndë të futen në vendin tonë pa taksa, me pretendimin se hirra dhe kremi i qumështit përdoren në prodhimin e biskotave. Por që në të vërtetë kriza për qumësht natyral, ka detyruar industrinë e përpunimit të qumështit të prodhojë djathin duke e përzier me pluhurin e hirrës së qumështit.

“Ajo shtohet në receptura të ndryshme tek nënproduktet e qumështit. Mund të shtohet tek përgatitja e djathit të butë”, thotë teknologu Kapllan Sulaj.

“Përdoret edhe te prodhimi i gjizës që e bëjnë në bashkëpunim me vajin e palmës, kjo gjizë përziehet me gjizën e zakonshme dhe kjo bëhet për te dalë me një kosto më të ulët”, shprehet teknologu i ushqimit, Nazif Tivari.

“Mund të shtohet tek kosi. Tek kosi ndikon shumë në shije për t’i dhënë një shije më të mirë kosit, njëkohësisht ndikon edhe tek konsistenca e kosit e bën atë të lidhet më mirë”, thotë Sulaj.

“Por dua të them këtë që kjo hirrë nuk i ka ato enzima dhe vlera ushqimore që del nga qumështi i freskët”, shpjegon Tivari.

Për rritur sasinë fabrikat e bulmetit ulin cilësinë, dhe kjo arrihet nga përdorimi i hirrës së djathit dhe kremit të qumështit. Por në këtë mënyrë, ndikojnë që të zvogëlohen akoma më shumë tufat e bagëtive të fermerëve shqiptarë.

“Kjo mund të shtohet në formula të ndryshme dhe kjo bën të mundur rritjen e masës së djathit. Kremi është formë paraprake mund të përziehet me gjalpin, pasi ka më shumë ujë”, thotë Kapllanaj.

“Në qoftë se kjo përdoret unë justifikoj me mungesë qumështi. Ne diskutojmë sa yndyrë ka qumështi dhe sa ujë ka shtuar”.

“Ne gjatë gjithë kohës protestojmë, por asnjëherë nuk degjohemi. Kjo është bujqësia nuk ka asnjë të ardhme”.

Top Channel