Këtë të hënë, një 15-vjeçare ka raportuar në Policinë e Pejës se shtatorin e vitit të kaluar është përdhunuar nga xhaxhai i saj.

I dyshuari I.M 39 vjeçar është vënë në pranga po atë ditë. E përpos dhunimit, siç mëson Top Channel ka vazhduar me shantazhin dhe format e tjera të abuzimit ndaj mbesës së tij, meqë edhe jetonin në bashkësi familjare.

Viktimës i është ofruar mbrojtja dhe përkujdesja e duhur nga ana e Prokurorisë, por siç mësohet ajo është kthyer në shtëpi me insistimin e familjes.

Hetuesia bën me dije se ka kërkuar edhe masën e sigurisë prej një muaj paraburgim. I dyshuari po mbahet në spital nën mbikëqyrjen e policisë për shkak që ditë më parë është operuar, megjithatë pritet që së shpejti të lirohet nga spitali.

Gjykata Themelore e Pejës pritet të caktojë edhe masën e paraburgimit për të dyshuarin.

Të martën është raportuar edhe për një rast tjetër përdhunimi në Fushë Kosovë, ndërkohë prokuroria e shtetit ka njoftuar se në Kosovë në nëntë muajt e vitit 2022 janë regjistruar 49 raste të përdhunimeve dhe mbi 60 raste të abuzimeve seksuale.

Top Channel