Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në Durrës për miqësoren e 26 tetorit ndaj Arabisë Saudite.
Në drejtimin e trajnerit Edy Reja dhe stafit teknik skuadra ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Niko Dovana” para nisjes për në Abu Dabi.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë 18 nga lojtarët e thirrur me mesfushorin Arbnor Muçolli, i cili është bashkuar të dielën mbrëma me grupin dhe është stërvitur rregullisht sot me ekipin. Tekniku Reja ka provuar vendosje të ndryshme taktike me lojtarët në këtë seancë, teksa ekipi do të ketë edhe një stërvitje në stadiumin e ndeshjes të martën pasdite. Kombëtarja do të niset pasditen e të hënës për në Abu Dabi.
Pesë nga futbollistët e ftuar do të udhëtojnë menjëherë në Abu Dabi të hënën për t’u bërë pjesë e Kombëtares. Bëhet fjalë për Ardit Tolin, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani, të cilët janë të impenjuar këtë të diel me klubet e tyre. Ky test është një mundësi mjaft e mirë për lojtarët e spikatur të kampionatit që të tregojnë vlerat e tyre dhe të fitojnë shansin për të qenë sërish pjesë e Kombëtares kuqezi.
Miqësorja Arabi Saudite-Shqipëri do të luhet të mërkurën, datë 26 tetor në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit dhe do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale 16:30 sipas orës shqiptare tonë.
Ndërkohë kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe 3 miqësore të tjera në muajin nëntor, në fillim të tij pritet një konfirmim zyrtar për një përballje jashtë Shqipërie me Katarin, ndërkohë që më 16 nëntor kquezinjtë do të përballen në stadiumin Air Albania me kampionët e europës të Italisë dhe 3 ditë më pas. më 19 nëntor po në stadiumin e kryeqytetit do të luajnë përballë Armenisë që do të jetë ndeshja e fundit për këtë vit 2022 për kombëtaren shqiptare.
Me gjasë kjo mund të jetë edhe ndeshja e fundit e kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Edi Reja të cilit i përfundon kontrata pas saj dhe pikërisht ato ditë do të zhvillojë edhe një takim me presidentin e FSHF Armand Duka për të vendosur se çfarë do të ndodh me të ardhmen e tij.
Top Channel