Ilir Çemeri jetën e tij ia ka përkushtuar bujqësisë, e cila deri para një dekade i siguronte fitimin e dëshiruar, por tashmë situata ka ndryshuar.
Në një sipërfaqe toke prej 15 dynymësh për shumë vite bujku kultivonte vetëm dy kultura bujqësore, të cilat kësaj here i sollën vetëm humbje. Për të shpëtuar nga falimenti fermeri për herë të parë guxoi të kultivojë lakër dhe sallatë jeshile.
“Unë mbillja sallator dhe speca, por duke qenë se fuqia punëtore është e pakët sallatori nuk lejon që të presë kur të kesh ti kohë që të punosh, plus edhe çmimet janë gjithnjë në rënie. Sallatori 40 lekë i ka për kilogram, po shitem nën këtë çmim marim ndonjë lekë, pastaj nën 40 lekë jemi në humbje, dhe unë e kam shitur 30 lekë, pra me humbje. Këto mund të kenë shumë të mira, por se kam provuar këto janë viti i parë që unë e kam provuar. Po qe se dhe këto s’kanë çmim do t’i lë fare serat”, thotë Ilir Çemeri.
Fermeri thotë se kostot e prodhimit do të uleshin nëse fermerët do të subvencioneshin për kilogram, sipas tij kjo politikë bujqësore gjithashtu do të shtonte dhe të mbjellat.
“Çdo gjë duhet të subvencionohet për kilogram. Ai që punon serën të marrë subvencionime, jo thonë do e bëjmë me dynym. Po mirë ai që se punon fare dhe nuk i jep vendit as prodhim dhe as nuk ngre në ekonomi përse duhet të marrë të njëjtin subvencionim si unë? Pra ai merr para vetëm sepse e mban serën në këmbë?!”
Por për sa kohë djersa e fermerit do të vlerësohet pak nga tregtaret, serat do të mbyllen dhe fushat do të mbeten të boshatisura pasi askush nuk do të punojnë më në bujqësi.
“Të rinj s’ka më këtu, më i riu është 50 vjeç e lart. Unë kam dy djem. 3 janë larguar në Tiranë dhe ky i vogli do ta çoj në shkollë, unë kam vuajtur vetë në bujqësi dhe nuk dua që të merret me këtë punë”.
Fshatrat po braktisën pasi fermerët janë të zhgënjyer nga ajo ç’ka u sjell toka, për pasojë fermerët po përballën njëkohësisht me tregu dhe mungesën e punëtorëve të bujqësisë.
Top Channel