Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kërkesa që njohja reciproke të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale me Serbinë është domosdoshmëri, dhe tërheqjen e kësaj kërkese Kosovës nuk ia kanë kërkuar as Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, , Osmanit iu kërkua të komentonte deklaratat e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që Kosova të mbështesë një marrëveshje me Serbinë, që nuk përfshin njohjen reciproke.

Por, Osmani tha se bëhet fjalë për “marrëveshje specifike”, që duket se është referencë për një propozim të Francës dhe Gjermanisë për të cilin kanë raportuar mediat.

Siç kanë deklaruar zyrtarët në Serbi, ky propozim franko-gjerman, që thuhet se është dorëzuar liderëve në Prishtinë dhe Beograd, thekson që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Beogradit në bllokun evropian.

“Nuk ka pasur kërkesë, qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga partnerët e tjerë brenda BE-së asnjëherë që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke, sepse të gjithë e kuptojnë që ajo është domosdoshmëri që e përmbyllë një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ngjarë në këto dekada në Ballkanin Perëndimor, që kanë qenë luftëra të tmerrshme të iniciuara dhe të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kanë kërkuar që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, përderisa Prishtina kërkon që njohja reciproke të jetë pjesë e marrëveshjes finale, Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Top Channel