“Ndihem i kërcënuar!”, denoncoi shefin e Krimeve të Devollit, Buçi: Më goditi me grushte dhe shkelma

23/10/2022 13:42
Marsel Buçi

Marsel Buçi i cili ka qenë në një konflikt të vazhdueshëm me Deiz Arapin, për djegien e makinës së tij, ka përfunduar mbrëmjen e djeshme në komisariat.

Në komisariat ai pretendon se shefi i Krimeve të komisariatit të Devollit ka ushtruar dhunë gjatë kohës që kanë qenë në zyrën e tij, për këtë arsye e ka denoncuar Pashk Syzikun.

Në lidhje me këtë situatë Marsel Buçi ka deklaruar se pas konfliktit me Deiz Arapin, e cila e ka kërcënuar dhe provokuar që ta godiste, është kërkuar nga policia.

Më pas ai ka shkuar në zyrën e shefit të Krimeve, ku në prezencë të një polici, Pashk Syziu ka nisur ta godasë me grushte dhe shkelma.

“Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin, e cila me ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushta dhe shkelma”, u shpreh ai.

Pavarësisht situatës, Marsel Buçi ka deklaruar se nuk ka reaguar, por më pas ka bërë një denoncim pasi ndihet i kërcënuar.

“Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati”, shtoi më tej ai.

Sipas Marselit e gjithë skena ka ndodhur në prezencë të Deiz Arapit, ndërsa shefi i Krimeve që e ka dhunuar ka qenë në gjendje të dehur.

Pashk Syziu- shefi i Krimeve

Si nisi konflikti midis Marsel Buçit dhe Deiz Arapit: 

Dy javë pasi u dogj mjeti i 27-vjeçares, Deizi Arapit, një tjetër mjet është djegur në orët e para të mëngjesit të 10 tetorit në Bilisht.

Mjeti i djegur është në pronësi të punonjësit të karburantit në Bilisht, Marsel Buçit, i cili akuzon motrat Arapi për dëmin e shkaktuar ndaj tij. Njëkohësisht ai është akuzuar nga Deiz Arapi se është përgjegjës i djegies së mjetit te saj.

Për Top Channel ai tha se ka dyshime të forta që makina është djegur nga motrat Arapi dhe dyshimet e tij i përforcon edhe ora e djegies, e cila është e njëjtë me orën që u dogj mjeti i Deizi Arapit.

“Nuk kam konflikte me persona të tjerë. Motrat më kanë akuzuar për djegien e makinës, por unë nuk kam gisht në këtë ngjarje. Makina mu dogj në orën që është djegur edhe makina e vajzave, çfarë më bën të mendoj që mesazhi për mua është i qartë”, u shpreh ai.

Zjarrvënia sipas policisë dyshohet e qëllimshme, pasi mund të jetë ‘hakmarrje’ për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator ku iu vu flaka mjetit të Arapit dhe u dogj plotësisht.

Deizi Arapi, pronarja e makinës tip “Mercedes Benz” që u dogj para dy javësh ngriti akuza se ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër mes saj dhe ish-kryebashkiakut Bledion Nallbati aktualisht deputet i PD për shkak të largimit të padrejtë të nënës së saj nga puna, ndërsa dëshmoi se personi që ka kryer veprimin ishte punonjësi i karburantit në pronësi të deputetit.

Deputeti Nallbati i cili aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sqaruar se me të renë nuk ka konflikte dhe se me të ka komunikuar vite më parë vetëm për rastin e nënës së saj. Më tej ai shtoi se akuzat ndaj tij mund të jenë të nxitura nga dikush tjetër dhe se sapo të kthehet nga Gjermania do ti drejtohet organeve ligjzbatuese duke bërë një kallëzim për shpifje.

Vetëm një muaj më parë 27-vjeçarja Arapi u la nga gjykata në masën e sigurisë detyrim paraqitje, par arrestimit për shkak se u konfliktua verbalisht dhe fizikisht me punonjësit e policisë. Ata i kërkuan të mos prishnin rendin dhe qetësinë publike pasi së bashku me motrën dhe disa miqtë e saj po dëgjonin muzikë në makinë gjatë mesnatës.

Top Channel