“Më goditi në zyrë!”/ Konflikti mes Deizi Arapit dhe Marsel Buçit, nis hetimi ndaj shefit të Krimeve të Devollit

23/10/2022 12:20

Shefi i Krimeve në komisariatin e Devollit është vënë nën hetim për veprën “kryerja e veprimeve arbitrare”.

Mbrëmjen e djeshme janë shoqëruar në komisariat shtetasja Deizi Arapi dhe shtetasi Marsel Buçi, të përfshirë në konflikt për djegien e makinës së këtij të fundit.

Gjatë konfliktit në komisariat mes palëve, familjarët e Marselit kanë telefonuar deputetin Bledjon Nallbati i cili ka qenë prezent në ambientet e jashtme të komisariatit për t’u interesuar për ngjarjen.

Sipas burimeve nga policia, Marsel Buçi pretendon se shefi i krimeve e ka goditur në zyrë, ndërsa është bërë ankesë pranë AMP-së e cila po bën hetime lidhur me këtë rast.

Mësohet se shefi i krimeve është pezulluar për 3 ditë deri sa të vendoset përfundimisht nga hetimet nëse do të ketë shkelje të tij apo do të rikthehet në punë.

Pashk Syziu- shefi i Krimeve

Si nisi konflikti midis Marsel Buçit dhe Deiz Arapit: 

Dy javë pasi u dogj mjeti i 27-vjeçares, Deizi Arapit, një tjetër mjet është djegur në orët e para të mëngjesit të 10 tetorit në Bilisht.

Mjeti i djegur është në pronësi të punonjësit të karburantit në Bilisht, Marsel Buçit, i cili akuzon motrat Arapi për dëmin e shkaktuar ndaj tij. Njëkohësisht ai është akuzuar nga Deiz Arapi se është përgjegjës i djegies së mjetit te saj.

Për Top Channel ai tha se ka dyshime të forta që makina është djegur nga motrat Arapi dhe dyshimet e tij i përforcon edhe ora e djegies, e cila është e njëjtë me orën që u dogj mjeti i Deizi Arapit.

“Nuk kam konflikte me persona të tjerë. Motrat më kanë akuzuar për djegien e makinës, por unë nuk kam gisht në këtë ngjarje. Makina mu dogj në orën që është djegur edhe makina e vajzave, çfarë më bën të mendoj që mesazhi për mua është i qartë”, u shpreh ai.

Zjarrvënia sipas policisë dyshohet e qëllimshme, pasi mund të jetë ‘hakmarrje’ për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator ku iu vu flaka mjetit të Arapit dhe u dogj plotësisht.

Deizi Arapi, pronarja e makinës tip “Mercedes Benz” që u dogj para dy javësh ngriti akuza se ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër mes saj dhe ish-kryebashkiakut Bledion Nallbati aktualisht deputet i PD për shkak të largimit të padrejtë të nënës së saj nga puna, ndërsa dëshmoi se personi që ka kryer veprimin ishte punonjësi i karburantit në pronësi të deputetit.

Deputeti Nallbati i cili aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sqaruar se me të renë nuk ka konflikte dhe se me të ka komunikuar vite më parë vetëm për rastin e nënës së saj.

Më tej ai shtoi se akuzat ndaj tij mund të jenë të nxitura nga dikush tjetër dhe se sapo të kthehet nga Gjermania do ti drejtohet organeve ligjzbatuese duke bërë një kallëzim për shpifje.

Vetëm një muaj më parë 27-vjeçarja Arapi u la nga gjykata në masën e sigurisë detyrim paraqitje, par arrestimit për shkak se u konfliktua verbalisht dhe fizikisht me punonjësit e policisë. Ata i kërkuan të mos prishnin rendin dhe qetësinë publike pasi së bashku me motrën dhe disa miqtë e saj po dëgjonin muzikë në makinë gjatë mesnatës.

Top Channel