Kanali i ri në Detin Baltik do ta bëjë lundrimin e anijeve polake të pavarur nga Rusia

23/10/2022 09:26

Polonia po ndërton një kanal të ri në mënyrë që anijet që lundrojnë në drejtim të Detit Baltik të mos jenë të detyruara të kalojnë nëpër ujërat territoriale ruse.

Ajo ishte një festë e madhe për një rrugë të shkurtër: Në mes të muajit shtator, kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe presidenti i shtetit Andrzej Duda inaguruan në bregdetin polak një kanal, që lidh portin e Elblagut me Detin Baltik.

Kanali është një e çarë 1,3 kilometra e gjatë nëpër Vistula Spit, një rrip i gjatë gadishulli, një pjesë e të cilit ndodhet në Poloni, kurse pjesa tjetër në enklavën ruse të Kaliningradit. Kanali do t’u kursejë anijeve në të ardhmen një rrugë 60 kilometra të gjatë, që kalon nëpër ujërat territoriale ruse në afërsi të portit Baltijsk, në Kaliningrad. Midis Polonisë dhe Rusisë ekzistojnë marrëveshje që rregullojnë kalimin nëpër rrugët ujore, por shpesh qarkullimi pa problem në këtë rrugë varet nga moti në Poloni. Kjo varësi nuk do të ekzistojë më në të ardhmen, këtë gjë shpreson qeveria polake.

Një projekt simbolik – kohë më parë se të ndodhte sulmi rus mbi Ukrainë

Duke pasur parasysh sulmin rus ndaj Ukrainës dhe marrëdhëniet e keqësuara shumë së fundi midis Polonisë dhe Rusisë, Kanali duket se ka ardhur në momentin e duhur. Por projekti ka kohë që është duke u planifikuar dhe diskutuar. Në vitin 2006, kryetari i tanishëm i Partisë Drejtësi dhe Ligj (PiS) dhe ish- kryeministri Jaroslav Kazhynski, e patën shtyrë fillimin e projektit që është diskutuar me dekada të tëra, pasi Rusia u refuzoi anijeve ndërkombëtare kalimin në ngushticën detare të Baltijskut, për shkak të skadimit gjoja të afatit të kontratës. Kontrata e lidhur në vitin 2009, e qetësoi gjendjen sërish dhe Donald Tusk, pasardhësi i Kazhynskit në post, nuk vendosi ndonjë prioritet për projektin. Por me marrjen e pushtetit nga partia nacionalokonservatore PiS në vitin 2016, projekti për ndërtimin e kanalit morri hov të ri. Në vitin 2019 filluan më në fund punimet.

Segmenti i parë i ndërtuar i kanalit u hap më 17 shtator 2022, pikërisht në ditën e përvjetorit të sulmit sovjetik ndaj Polonisë – një ditë simbolike. Pak ditë pas sulmit gjerman më 1 shtator 1939 ndaj Polonisë, Ushtria e Kuqe pushtoi territoret lindore polake, duke u bazuar në një shtesë sekrete të Paktit midis Hitlerit dhe Stalinit. Dhe tani, pikërisht 83 vjet më vonë, kryeministri polak Moraviecki me krenari ditën e inagurimit postoi një mesazh në twitter duke thënë: “Kanali për lundrimin e anijeve nëpër Vistula Spit që po hapet sot, është një rrugë drejt lirisë, rrugë e shanseve dhe e mundësive të reja. Në përvjetorin e 83-të të sulmit të Bashkimit Sovjetik ndaj Polonisë ne marrim në mënyrë simbolike edhe kështjellën e fundit për të arritur pavarësinë nga Rusia.”

“Ideja ishte që të hapnim në mënyrë simbolike rrugën ujore, në mënyrë që të mos na duhet t’u lutemi për leje kalimi një vendi që nuk është miqësor me ne, një vendi që nuk druhet të sulmojë të tjerët dhe t’i skllavërojë,” tha presidenti i shtetit, Duda. Dhe shefi i PiS, Kazhynski, që ishte i pranishëm, premtoi shumë vende të reja pune që lidhen me ndërtimin e kanalit, që është kthyer në një nga projektet fanar për PiS.

Politikë simbolike: Kanali është ende në ndërtim

Edhe festimet e hapjes së kanalit kishin natyrë simbolike. Për transportin ujor asgjë nuk ka ndryshuar: Anijet e transportit duhet të kalojnë ende nëpër ujërat ruse, sepse kanali i ri është ende dy metra e gjysmë i thellë, thellësi që nuk mjafton për anijet e mëdha të mallrave. Thellimi deri në pesë metra i vijës së lundrimit është ende në procesin e punimeve. Përveç kësaj në Elblag duhet ngritur një rrethore për kthimin e anijeve. 500 milionë eurove të dhëna deri tani u duhen shtuar edhe shumë miliona të tjerë.

Kur të përfundojnë punimet e ndërtimit të kanalit, pritet që anijet deri 100 metra të gjata dhe 20 metra të gjera të mbërrijnë në portin e Elblagut. Po ashtu pritet të lehtësohet edhe Gdansku, që ka portin më të madh të kontenierëve në hapësirën e Detit Baltik, sepse anijet mesatare të mallrave do të mund të dërgohen direkt për Elblag.

Infografik Karte Polen Ostseekanal DE

Ngarkesat që vijnë në Gdansk, mund të transportohen me anije më të vogla transporti, të ashtuquajturat anijet feeder, anijet ushqyese, për në Elblag, ku mund të bëhet zbarkimi dhe si rrjedhojë rrjeti i rrugëve dhe shinave do të lehtësohet, kështu shpresohet.

Aktualisht në Elblag përpunohen 90 mijë ton mallra, Me përfundimitn e rrugës së re detare, kapaciteti mund të rritet deri në 3,5 milionë ton në vit. Tingëllon si sasi e madhe, por nuk mjafton patjetër për ta kthyer portin në motor për zhvillimin ekonomik, siç ka premtuar PiS. Sa për krahasim: Në Gdansk përpunohen çdo vit 60 milionë tone mallra, në Hamburg rreth 130 milionë ton.

Kritika për kanalin: Gropa të mbushura me llum dhe ujëra të turbullta 

Reagimet e banorëve të gadishullit për projektin e madh prestigjioz të PiS në rajonet e lidhura direkt me të, janë të ndryshme. Krzysztof Rogovski punon dhe jeton në një shtëpi që ndodhet një kilometër larg kanalit të ri.

Shtëpia e vjetër me tulla është e shekullit të 19-të, në atë kohë këto territore në verilindje të Polonisë së sotme ishin pjesë e Prusisë Lindore. Në vitin 1945 Elblingu prusiano-lindor u kthye në Elblagun polak. Nga dritarja e shtëpisë së tij, Rogovski sheh çdo ditë makinat e ndërtimit. Ai mendon se projekti është një “aksion thjesht propagandistik”, që megjithë premtimet nuk hap vende të reja pune. Përveç kësaj ekskavatorët që ndodhen para dritareve të shtëpisë nuk do të mbarojnë kurrë punë, mendon ai. “Rrymat detare i mbushin vazhdimisht me rërë të re vendet e sapohapura, toka vazhdon të mbetet e mbuluar nga balta. Ekskavatorët do të qëndrojnë këtu përjetë, për të thelluar vazhdimisht korsinë e lundrimit në kanal”, thotë 50-vjeçari.

Edhe Krzysztof Cibor nga Greenpeace i Polonisë, mendon se ekziston një problem: “Nëpërmjet gërrmimeve të vazhdueshme të  korsisë së lundrimit ujërat turbullohen, gjë që dëmton peshqit e vegjël dhe organizmat filtrues të ujit”, thotë ai.

Përveç kësaj nga çarja e kanalit, që kalon nëpër një zonë të mbrojtur natyrore, shkëputet korridori ekologjik për shumë lloje kafshësh që jetojnë tani në ishull. Ishulli i krijuar në mënyrë artificiale në lagunën e sapokrijuar, midis Elblagut dhe Vistulës, që krijohet nga dheu i gërryer pritet të kthehet në parajsë për zogjtë, por kjo nga ana e saj nuk do t‘i neutralizojë dëmet ndaj natyrës, mendon Cibori.

Porti i Elblagut: Plane pa kujdes apo shtetëzim i planifikuar 

Kritika vijnë edhe nga opozita, megjithëse më parë edhe qeveria liberale e ka mbështetur ndërtimin e kanalit. Jerzy Vcisla nga Elblagu, që është anëtar i senatit polak që nga viti 2019 duke marrë vendin e koalicionit qytetar, publikoi tre vjet më parë dokumenta që tregojnë se projekti nuk është planifikuar asnjëherë përfundimisht. Prandaj rrethorja për kthimin e anijeve dhe kilometrat e fundit të korsisë së lundrimit do të duhet të paguhen nga qyteti i Elblagut. Meqenëse qyteti nuk i ka 23 milionët që kërkohen, qeveria ka propozuar që të japë paratë që mungojnë dhe të marrë njëkohësisht portin.

Vcisla i ka kërkuar qeverisë me anë të një apeli që të përfundojë projektin e ndërtimit dhe mijëra polakë kanë nënshkruar thirrjen e tij. “Të mos planifikosh deri në fund me qëllim një investim dhe të bësh që në këtë mënyrë projekti të dështojë, është joekonomike dhe shpërdorim detyre,” tha senatori. Ai mendon se në afat të gjatë kanali pritet të forcojë kryesisht PiS. “PiS kërkon të përmirësojë pozicionin e vet në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që pritet të mbahen. Në fushatën zgjedhore në Elblag përfitojnë shumë politikanë duke premtuar për portin një zhvillim të madh, me kushtin që porti të kontrollohet nga shteti”, thotë Vcisla.

Politikani druhet se nëse shteti merr kontrollin, atëherë PiS do të japë postet lukrative tek anëtarët e partisë duke u forcuar më shumë në Elblag, një zonë ku votuesit ia japin votën më shumë liberalëve.

Për politikanin lokal të PiS, Marek Pruszak, anëtar i Këshillit të qytetit të Elblagut, shtetëzimi i portit do të thoshte që qyteti të marrë më shumë para nga shteti. “Është po ashtu një shans për zhvillimin në shumë sektorë si gastronomi, hoteleri dhe turizëm,” thotë ai. Pruszak shpreson tek shuarja e grindjeve të tanishme midis qytetit dhe qeverisë. “Sipas planit aktual deri në fund të vitit 2023 në port do të zbarkojnë anijet e para të mëdha”, shpjegon politikani lokal. Ai shpreson që anijet të vijnë më mirë që para vjeshtës, kur në Poloni të zhvillohen zgjedhjet parlamentare./ Deutsche Welle

Top Channel