Hidrocentralet private në Shqipëri që shesin energji në tregun e lirë kanë bërë më shumë fitime vitin e kaluar, atëherë kur edhe kriza e çmimeve sapo kishte nisur.
Në Shqipëri janë në total 9 hidrocentraleve private, të administruara nga katër kompani, që shesin në tregun e lirë. Ato ishin përgjegjëse për 10% të totalit të energjisë së prodhuar në vend në 2021-in.
Të dhënat nga QKB tregojnë se gjatë 2021-it tre prej këtyre kompanive shtuan të ardhurat e tyre nga 1 – 3 miliardë lekë, në varësi të sasisë së prodhuar, ndërsa kompania e katërt i është shtuar tregut në 2022-in.
Hidrocentralet e tjera, të quajtur me përparësi, por edhe privatë janë në kontratë me qeverinë dhe shesin energji me çmim të rregulluar.
Këtyre hidrocentraleve me përparësi OSHEE ua blen energjinë me çmimin e përcaktuar nga ERRE në vlerën e 8.5 lekë kilovat/orë. Me këtë tarifë enti në kushte normale ka llogaritur edhe marzhin e fitimit për këto HEC/e, pasi hidrocentralet publike e prodhojnë me koston 2.6 lekë kilovat/orë.
Ndërkohë, hidrocentralet private në tregun e lirë, energjinë në kushtet e krizës së çmimeve po e shesin deri në 34 lekë për kilovat/orë ose 4 herë më shtrenjtë.
Me totalin e prodhimit të tyre për 8 muajt e parë të këtij viti, kjo energji do të kushtonte rreth 245 milionë euro ose gati 80% e shumës që Shqipëria ka importuar deri më sot. Propozimi i kryeministrit Rama për një tatim të jashtëzakonshëm mbi fitimet e papritura do të prekë pikërisht këto nëntë hidrocentrale.
Për hidrocentralet private, KLSH gjithashtu ka evidentuar në Agjencinë e Burimeve Natyrore se si rezultat i mos-ndryshimit në rritje të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike për 25 kontrata koncesionare nuk është arkëtuar as tarifa, duke sjellë humbje në vlera të konsiderueshme. KLSH gjithashtu ngre gishtin edhe nga Ministria e Energjisë, ku thekson se ka shuma të mëdha gjobash në lidhje me zbatimin e këtyre kontratave koncesionare të cilat në asnjë rast nuk janë ekzekutuar. Mospagesa e tarifës dhe mosarkëtimi i gjobave ka një vlerë prej 23,159,029,612 lekë shprehet KLSH.
Top Channel