Tjetërsuan pronat në Vlorë me vlerë 8 mln euro/ Arrest me burg për pesë nga të ndaluarit, një grua lihet me detyrim paraqitje

22/10/2022 13:10

Ka përfunduar seanca gjyqësore për gjashtë të arrestuarit që tjetërsuan pronat në Vlorë, ku është lënë e njëjta masë, “arrest me burg” për pesë prej tyre ndërsa një grua është lënë detyrim paraqitje.

Nga të 24 personat e akuzuar në këtë aferë, vetëm gjashtë prej tyre u gjykuan sot.

Masa“Arrest me burg” iu dha: Arqilea Veizi, Spiro Dhima, Serxhio Joshi, Denis Kokaveshi, Artur Duni.

Masa “Detyrim paraqitje”: Vasillo Mëhilli

Gjykata e Vlorës ka lëshuar 22 urdhër arreste dy ditë më parë, për persona që dyshohen të jenë përfshirë në afera për tjetërsim pronash në bregdetin e Himarës. Gjashtë prej të cilëve janë arrestuar, 8 janë lënë në arrest shtëpie dhe pjesa tjetër po hetohen në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka marrë të dhëna se prej punonjësve të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim janë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumenta origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj, dokumente të cila janë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore” duke i zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet.

Dokumentat e falsifikuara janë rifutur në arkivën e D.A.M.T-së pranë Këshillit të Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë.

Në vijim kopja e njehsuar e këtyre dokumentave pronësorë me shkresë përcjellëse u dërgohej personave të interesuar, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t`u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë dhe hipotekimin e tyre pranë A.SH.K.Vlorë.

Top Channel